Rritja e çmimit të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, Autoriteti i Konkurrencës nis hetim për tregun e importit dhe shitjes

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur procedurën e hetimit paraprak në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore.
Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën kohore nga 1 janari 2020 deri në 31 mars 2021 dhe raporti do të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës brenda 3 muajve. Vendimi është marrë në mbledhjen e 12 marsit.
Ky vendim u mor nisur nga shqetësimet e ngritura në media mbi rritjen e çmimit të plehrave kimike dhe pasi Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës, në datën 11 dhe 12 Mars 2021, procedoi me kryerjen e monitorimeve në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore, me qëllim vlerësimin e konkurrencës në këtë treg.
“ Nga vlerësimi i informacionit të grumbulluar gjatë monitorimit të kryer pranë ndërmarrjeve kryesore në tregun e importiti dhe shitjes me shumicë, si dhe në ambjentet e Shoqatës së Tregtarëve Shqiptarë të Plerave Kimike dhe Inputeve Bujqësore “AFADA”, rezultoi se: disa ndërmarrje gëzojnë të drejta ekskluzive në tregtimin e produkteve të mbrojtjes së bimëve; ndërmarrjet kanë realizuar importe të përbashkëta dhe kanë siguruar gjendje të produkteve në magazina, duke i shitur ato me çmime shumë më të lartë se kostot e blerjes së tyre.
Në treg operojnë ndërmarrje të konsoliduara dhe me pjesë të konsiderueshme të tregut. Për sa më sipër, ngrihen dyshime të arsyeshme se mes ndërmarrjeve që ushtrojnë veprimtari në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike dhe inputeve bujqësore ka elementë të një sjelljeje të bashkërenduar, e cila mund të përbëjë kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës në kuptim të nenit 4, pika 1 dhe nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, I ndryshuar” njofton Autoriteti i Konkurrencës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.