Rritja e depozitave në euro – BSH do të ngrejë “digën” e rezervës valutore

Euroizimi i lartë i sistemit financiar dhe, në veçanti, rritja e ndjeshme e depozitave në euro gjatë vitit të kaluar, ka bërë që Banka e Shqipërisë të mendojë rritjen e rezervës valutore.
Sistemi financiar ende karakterizohet nga një shkallë e lartë euroizimi, me gjithë tentativat rregullatore për ta kufizuar përdorimin e monedhës europiane në dekadën e fundit. Rreth 60% e kredisë dhe 52% e depozitave të sistemit bankar janë në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Për sa i takon kreditimit, në dy vitet e fundit ka pasur një tendencë për rritjen e peshës së lekut, edhe falë uljes drastike të normave të interesit në monedhën vendase.
Por, ndërkohë, euro ka fituar terren në krahun e detyrimeve, falë shtimit të shpejtë të depozitave në këtë monedhë.
Ndërkohë që po harton një strategji për uljen e euroizimit, Banka e Shqipërisë është përgatitur që të rrisë nivelin e sigurisë për t’u paraprirë nevojave emergjente për valutë të sistemit financiar.
Sipas informacionit të publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, kjo do të bëhet duke rritur vlerën e rezervës valutore përmes ankandeve për blerjen e valutës, që priten të zhvillohen gjatë këtij viti.
Aktualisht, rezerva valutore shërben si një instrument që synon të mbulojë nevojat e mundshme emergjente të ekonomisë për valutë dhe të zbusë goditje të forta në kursin e këmbimit.
Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar.
Banka e Shqipërisë nuk zotëron instrumente të mbështetjes me likuiditet në monedhë të huaj, megjithatë, forma të veçanta ndihme mund të aplikohen në rrethana të jashtëzakonshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.