Rritja e depozitave – Pritshmëri pozitive për sezonin veror

Afrimi i datës së zgjedhjeve ka sjellë një ngadalësim të rritjes së depozitave bankare, megjithatë, pritet që rritja të kthehet sërish në muajt e mbetur të verës. Adja Angjeli, drejtore e Rrjetit të Degëve në Credins Bank, shprehet se për sezonin veror pritshmëritë e sistemit bankar janë edhe këtë vit pozitive.
“Këtë vit ne jemi në një moment më të veçantë, pasi jemi përpara zgjedhjeve, të cilat natyrisht modifikojnë sjelljen e klientëve në treg. Klientët të cilët janë individë nuk ndryshojnë sjellje. Natyrisht ata vazhdojnë tendencën e tyre për të kursyer siç kanë bërë edhe më parë, por vihet re që ka luhatje të depozitave, kryesisht në rënie për sa i përket institucioneve shtetërore apo klientëve korporativë, të cilët kanë interesa të caktuara të lidhura me këtë periudhë elektorale”, u shpreh Angjeli.
Në fund të muajit prill, vlera e depozitave të klientëve në Credins Bank arriti në 143 miliardë lekë, duke e renditur e treta në sistemin bankar, me afro 12.4% të tregut.
“Për sa i përket pritshmërisë që ka Banka Credins për të vazhduar për t’u rritur me depozitat, unë dua të theksoj se depozitat kanë qenë, janë dhe do të mbeten produkti strategjik i Bankës Credins për të ecur përpara dhe për t’u zhvilluar në treg. Ne në këtë moment renditemi të tretët në sistemin bankar për sa i përket volumit të depozitave. Vazhdojmë nga muaji në muaj të përthithim “market share”, pra të rritemi në market share kundrejt sistemit bankar. Kështu që natyrisht pritshmëria jonë për rritjen e këtij produkti që është strategjik dhe kryesor për zhvillimin e bankës do të jetë maksimale”.
Në vitet e fundit, depozitat në sistemin bankar kanë vazhduar rritjen, pavarësisht nga normat shumë të ulëta të interesit. Vitin e kaluar rritja u mbështet sidomos nga zgjerimi i depozitave në valutë.
Për katër muajt e parë të këtij viti, totali i depozitave ka pësuar një rënie të lehtë, megjithatë, pritet që sezoni veror të kthejë sërish rritjen, edhe falë shtimit të prurjeve valutore nga turizmi dhe remitancat.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.