Rritja e ekonomive lokale/Hapet tregu në Baldushk, Veliaj: Blini produkte të zonës
Për të tretin vit, Bashkia e Tiranës ka ngritur në Baldushk tregun e shpendëve të gjalla, si një formë që kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e ekonomive lokale. I pranishëm në hapjen e këtij tregu ishte kryebashkiaku ErionVeliaj, i cili tha se këtë vit nga shitja e gjelit të detit, pritet të sigurohen të ardhura shumë herë më të mëdha se ato të 2 viteve të mëparshme.
“Ne kemi llogaritur që vetëm në fundvit shiten rreth 4-5 milionë euro mall gjela deti vetëm nga kjo zonë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, siç po bëjmë për gjelat e detit edhe për produktet e tjera, me siguri që do të kemi një Tiranë rurale që jeton falë shpenzimeve që bën Tirana urbane. Kështu që, për këtë fundvit, ftesa si gjithmonë është mbusheni tavolinën me të mirat që prodhon vendi ynë, fermat dhe të gjitha familjet që merren me punën e tokës dhe gjësë së gjallë në rrethinat e Tiranës”.
Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e tyre ekonomike.
“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të blejmë produkte lokale, gjelin në Baldushk, vajin në Ndroq, verën në Lundër, domaten në Shëngjergj, domaten e vonë dhe të gjitha produktet lokale, të cilat sot jo vetëm që janë më të mira e cilësore, por janë edhe më të lira”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se këtë vit priten që të sigurohen nga shitja e gjelit të detit të ardhura shumë herë më të mëdha se ato të tre viteve të mëparshme.
Paralelisht me hapjen e tregut në Baldushk, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve, ku qytetarët mund të denoncojnë në numrin e gjelbër për çdo problematikë që konstatojnë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.