Rritja e investimeve – Importet, kredia dhe IHD-të tregojnë ngadalësim
Megjithëse të dhënat e prodhimit kombëtar të Instat dhanë sërish një kuadër pozitiv të investimeve për dy tremujorët e parë të vitit, kur formimi bruto i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 12%, të dhënat e tjera të tërthorta tregojnë se rritja e investimeve në ekonominë shqiptare po ngadalësohet.
Sipas Institutit të Statistikave, për nëntë muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve arriti në 96 miliardë lekë, në rritje me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një tjetër tregues i tërthortë, kredia bankare për investime gjithashtu paraqitet e ende e dobët. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, kredia për blerje të makinerive, pajisjeve dhe pasurive të paluajtshme, si edhe nga bizneset zbriti në më pak se 183 miliardë lekë, në rënie me 1.8% që nga fillimi i vitit.
Rënia është e qartë edhe në segmentin e investimeve të huaja direkte. Ecuria e dobët e tremujorit të dytë e ka përkeqësuar bilancin e gjashtëmujorit 2017, që paraqitet në rënie me 29 milionë euro ose 7% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2016.
I vetmi sektor ku këtë vit regjistrohet një rritje e lartë e investimeve është ai publik. Sipas statistikave fiskale të qeverisë, për tetëmujorin shpenzimet kapitale arritën në 35 miliardë lekë, në rritje me 33% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, kjo rritje është e lidhur sidomos me zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në mesin e këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.