Rritja e rezultateve false/ Spanja bëhet vendi më i fundit që ndalon testet e antigjenit Genrui!
Spanja është bërë vendi më i fundit europian që ka hequr testet e antigjenit COVID-19 të prodhuara nga kompania farmaceutike kineze Genrui Biotech për shkak të një rritje të rezultateve false pozitive. Agjencia Spanjolle për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (AEMPS), e cila aktualisht po heton produktin, ka urdhëruar tërheqjen e testeve “për shkak të një rritjeje të mundshme të rezultateve false pozitive”.
Testet janë në qarkullim në Madrid, Barcelonë, Sevilje, Getafe dhe Asturias pasi janë shpërndarë në pesë kompani të ndryshme. Të premten, shitësve me pakicë në Irlandë iu kërkua të hiqnin testet e bëra nga kompania pas këshillave nga Autoriteti Rregullator i Produkteve Shëndetësore të vendit (HPRA).
Kërkesa erdhi pasi HPRA tha se kishte marrë mbi 550 ankesa nga njerëz që pretendonin se kompletet e testimit Genrui kanë dhënë rezultate false pozitive. AEMPS tha se ishte vënë në dijeni për heqjen e testeve në Irlandë nga HPRA. Testet e antigjenit Genrui mbajnë një markë CE të BE-së, e cila e vërteton atë se përmbush standardet e BE-së.
Megjithatë, hulumtimi i publikuar në nëntor të vitit të kaluar nga Instituti Paul Ehrlich, mbi ndjeshmërinë e testeve të antigjenit të shënuar 122 CE, zbuloi se “prodhuesit ende mund të vetëcertifikojnë testet e COVID-19 si “IVD me rrezik të ulët” dhe të heqin dorë nga verifikimi i pavarur i testeve më parë para se ti marketojnë ato”.
Kjo është vendosur të ndryshojë – por jo deri në maj 2022 kur prodhuesit do të kërkojnë testimin laboratorik të testeve, si dhe verifikimin e pavarur të të dhënave. Në të njëjtin hulumtim të rishikuar nga kolegët, Genrui ishte një nga 96 prodhuesit e testeve të antigjenit që kaloi kriteret e ndjeshmërisë së studimit. 26 prodhues të tjerë që shesin teste në Europë nuk e kanë bërë këtë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.