Rritja e tarifave të energjisë/ Zbardhen vendimet e ERE-s: Për rishikimin do analizohen kostot dhe treguesit
Pak javë pas mbledhjes së bordit, janë zbardhur vendimet e Entit Rregullator të Energjisë, për nisjen e procedurave për rishikimin e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas dokumenteve në publikuar në Fletoren Zyrtare, specifikohet se do të jetë analiza e kostove të realizuara por dhe të parashikuara, si dhe e treguesve teknikë, ekonomikë dhe financiarë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit që do të shërbejë për të vlerësuar nëse shoqëritë janë në rrethanat, të cilat kërkojnë rivlerësimin e nivelit të tarifave mesatare të transmetimit dhe shpërndarjes.
Në vendime jepen të dhëna edhe mbi totalin e të ardhurave të kërkuara nga 2 kompanitë, ku edhe bazohet kërkesa e tyre për rritjen e tarifave. Më konkretisht, totali i të ardhurave të kërkuara nga shoqëria OST për vitin 2022, është në vlerën 11.876 mln lekë lekë, ku sasia e energjisë elektrike e parashikuar për t’u lëvruar në rrjetin e transmetimit është 7,720 gwh, ndërsa për OSSH-në 37.108 mld lekë ku sasia e energjisë elektrike, e parashikuar për t’u lëvruar në rrjetin e shpërndarjes është 5,776 gwh.
Referuar aplikimeve, OSSH ka kërkuar që për klientët e lidhur në tensionin 35 KV, tarifa e shpërndarjes të shkojë në 2.61 lekë kwh, nga 1.5 lekë/kwh që është aktualisht, ndërsa për tensionin 0.6-20 KV të shkojë 3.99 lekë/Kwh nga 3.9 lekë/kwh që është aktualisht. Për klientët e tjerë fundorë të lidhur me rrjetin e shpërndarjes në nivelet e tjerë të tensionit, OSSH aktualisht faturon energjinë e lëvruar bazuar në tarifën mesatare të shpërndarjes së energjisë elektrike prej 4.79 lekë/kwh, ndërkohë që në aplikimi kërkuar që kjo tarifë të shkojë në 6.63 lekë/kwh.
Ndërkaq, kompania tjetër publike që është OST kërkon që tarifa të shkojë 1.47 lekë/kwh nga 0.75 lekë/kwh që është aktualisht, apo 96% më tepër. Rritja e tarifave të transmetimit dhe shpërndarjes impakton drejtpërdrejt bizneset që kanë dalë në treg të lirë energjie.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.