Rritja e tarifës së shpërndarjes – OSHEE: Të bëhet 2.38 lekë/kwh. Buxhuku: Më e larta në rajon

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku kundërshton kërkesën e rritjes së tarifës së shpërndarjes për bizneset që shfrytëzojnë rrjetin e OSHEE-së, duke thënë se është më e larta në rajon. Deklarata e tij vjen pas kërkesës së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, depozituar pranë Entit Rregullator të Energjisë për ndryshimin e tarifës nga 1.5 lekë/kwh në 2.38 lekë/kwh.
“Me vendet e tjera të rajonit, del që çmimet e linjave fundore, pra atyre të qirasë, janë mjaft të larta. Jemi konsiderueshëm më lart edhe se Maqedonia, edhe se Serbia, në përgjithësi se vendet e rajonit. Praktikisht jemi jo konkurrentë me vendet e tjera, po kjo rrit çmimin fundor të energjisë, sepse ti mund ta gjesh energjinë me çmim të pranueshëm në tregjet e hapura, tashmë të liberalizuara. Por nëqoftëse ti në fundore kë një qira të lartë të transmetimit, atëherë praktikisht çmimi fundor i energjisë elektrike në të cilin furnizohen bizneset e të gjitha llojeve praktikisht mund të jetë shumë i lartë”, tha Buxhuku.
Konfindustria i ka kërkuar Entit Rregullator të Energjisë, argumentet e paraqitura nga OSHEE, mbi bazën e të cilëve është bërë përllogaritja për këtë ndryshim, ndërsa apelon për mosmiratimin e tyre.
“Ne ia kemi kërkuar mënyrën se si i ka llogaritur kostot e saj OSHEE-ja për të dalë në këtë përfundim, sepse është detyrë e ERE-s pastaj të gjykojë edhe të vendosë. Nuk mund të pranojmë tarifa të qirave të linjave fundore më të larta se ato të vendeve krahasuese të rajonit, sepse mund të ndodhemi para një fakti që vetëm nga çmimet shumë të larta të qirave që ofron OSHEE-ja mund të dështojë i gjithë procesi i liberalizimit. Mund të ndodhë në një moment që subjektet e kanë të paarsyeshme të dalin në treg të lirë, kur dihet që pavarësisht se sa e siguron ti çmimin e energjisë elektrike, tarifa finale do të jetë e lartë, për shkak të çmimit të lartë të tarifës së qirave të linjave”, u shpreh Buxhuku.
Aplikimi për rritjen e e tarifës së shpërndarjes për ato biznese që shfrytëzojnë rrjetin e OSHEE-së u bë në fund të muajit dhjetor, ndërkohë që tashmë ERE ka nisur shqyrtimin e saj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.