Rritja ekonomike, BSH: Po zhvendoset nga investimet drejt konsumit

Rritja ekonomike gjatë këtij viti do të mbështetet më shumë nga rritja e konsumit dhe më pak nga investimet dhe nga eksportet. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë vendosin përtëritjen e konsumit të sektorit privat, si faktori më përcaktues në zgjerimin e prodhimit kombëtar.
Norma e rritjes vjetore të konsumit në tremujorin e parë 2018 ishte 3%, nga 2.7% që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar. Konsumi dha një kontribut prej 62% në formimin e kërkesës së brendshme. Të dhëna të tjera sasiore që tregojnë për rritje të konsumit privat në tremujorin e dytë janë rritja e të ardhurave nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe rritja e importit të mallrave ushqimore.
Duke filluar nga tremujori i katërt i vitit 2016, konsumi privat ka shënuar një prirje të lehtë por të qëndrueshme rritjeje. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e konsumit është mbështetur nga zgjerimi gradual i punësimit dhe i të ardhurave nga puna, nga përmirësimi i besimit, si dhe nga rritja e kredisë për konsum dhe kushtet e lehtësuara financiare.
Edhe ecuria e investimeve totale në ekonomi ishte pozitive në tremujorin e parë. Ato u rritën me 5.4%, pranë mesatares historike të dy viteve të fundit. Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet u rritën si nga sektori publik, ashtu edhe formimi bruto i kapitalit të bizneseve.
Tregues të tërthortë për tremujorin e dytë sugjerojnë për vijim të rritjes së investimeve, por me ritme më të ulëta se në tremujorin e parë. Pritjet për rritjen e ngadaltë të investimeve mbështeten në tregues si shpenzimet kapitale të sektorit publik, importet e makinerive dhe pajisjeve, si dhe kredia për investime.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.