Rritja ekonomike – Dominojnë shërbimet dhe ndërtimi

INSTAT publikoi të hënën statistikat e Prodhimit të Brendshëm Bruto edhe për tremujorin e fundit të vitit të kaluar, që e vendosën rritjen ekonomike për vitin 2016 në nivelin 3.46%.
Edhe për vitin e kaluar, rritja e ekonomisë shqiptare u mbështet kryesisht te tregtia dhe shërbimet, ndërkohë që degët prodhuese shfaqën një rritje mjaft të dobët. Ndonëse shifrat e prodhimit, në vlerë absolute nuk janë të publikuara ende, përmes ndryshime tremujore mund të ndërtohet një mesatare e thjeshtë e rritjes së vitit 2016 për secilin sektor, për të dhënë një ide të përafërt të ecurisë së secilit sektor.
Rritja më e lartë në vitin 2016 u regjistrua në aktivitetet e artit dhe argëtimit, me 8.33%, e ndjekur nga shërbimet financiare, me 7.05% dhe nga sektori i informacioni dhe komunikimit me 6.93%. Ndër sektorët që kanë një peshë specifike më të lartë në ekonomi, ndërtimi u konfirmua me rritje të lartë edhe për vitin e kaluar, me 6.13%.
Ky sektor është mbështetur nga volumet e konsiderueshme në projekte të punimeve inxhinierike, ndërsa edhe ndërtimet rezidenciale kanë shfaqur shenja gjallërimi. Grupi me peshën më të lartë në ekonomi, ai që përfshin tregtinë, transportin dhe akomodimin, u rrit me 5.78% gjatë vitit të kaluar, duke qenë kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike.
Për sa i takon sektorëve prodhues, edhe viti 2016 dha rezultate të dobëta. Bujqësia vlerësohet të jetë rritur me 0.45%. Pas rënies në gjysmën e parë të vitit, gjashtëmujori i dytë rezultoi pozitiv, por në vlera mesatare rritja ishte mjaft modeste.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për industrinë, me një rritje mesatare prej 0.54%. Viti i dobët për industrinë nxjerrëse u kompensua nga rritja e ndjeshme në degën e energjetikës, ndërkohë që industria përpunuese vlerësohet të ketë pasur një rritje të lehtë. Ekonomia shqiptare për rimëkëmbet gradualisht, megjithatë, struktura e saj nuk duket të ketë ndryshuar shumë; shërbimet dhe ndërtimi dominojnë, ndërsa prodhimi ende ka një peshë më të ulët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.