Rritja ekonomike, jo reale – Spaho: Është rritur vetëm me 2.5%, shitja e energjisë nuk hap vende pune
Ekonomia e familjeve shqiptare është përkeqësuar sipas opozitës. Në një dalje për mediat deputeti i PD-së Edmond Spaho u shpreh se rritja e ekonomisë në 4.45% nuk është reale pasi kjo rritje është diktuar si rezultat i shitjes së energjisë elektrike. I “zhveshur” nga ky zë i cili nuk prodhon punësim, rritja ekonomike në Shqipëri është në 2.5%.
“Statistikat e Edi Ramës se rritja ekonomike është 4.45 përqind janë përpjekje për të mashtruar shqiptarët. E vërteta është se zëri kryesor i të ashtuquajturës rritje ekonomike është energjia elektrike. Numrat janë të pagabueshëm! 66.4 përqind të rritjes ekonomike e zë energjia elektrike. Thënë ndryshe, rritja ekonomike prej 4.45 përqind ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut dhe shitjes së energjisë elektrike. E zhveshur nga zëri i energjisë elektrike, ekonomia shqiptare rezulton keq e më keq, me një rritje minimale prej 2.5 përqind, sepse energjia elektrike nuk prodhon punësim nuk hap vende të reja pune”, deklaroi Spaho.
Sipas opozitës vetëm ulja e taksave dhe eliminimi i korrupsionit do të mundësojnë një rritje reale të ekonomisë.
“Ekonomia mund të njohë rritje reale vetëm kur në Shqipëri të vijnë investime serioze të huaja, kur kryeministri të mos i shantazhojë investitorët e huaj që të punojnë me oligarkët e tij, kur kryeministri të mos e japë Shqipërinë me konçesion tek klientët e tij dhe kur kryeministri të mos e shndërrojë Shqipërinë në kampionë të Europës për korrupsion, ku 1 në 3 tendera jepen pa garë”, tha deputeti.
Spaho u shpreh më tej se dhënia me koncesion e çdo shërbimi si dhe dhënia pa garë e 1 në 3 tenderave do të vijojë që t’i varfërojë qytetarët shqiptar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.