Rritja ekonomike, në 5% për 2021-2023 – KE përmend edhe sfidat, me të cilat përballet ekonomia shqiptare
Komisioni Europian ka publikuar projeksionet e fundit në dokumentin “Programet e Reformave ekonomike 2021, për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Turqinë, Bosnjën dhe Kosovën”. Përsa i përket vendit tonë, raporti vlerëson se në vitin 2020, atë të pandemisë, ekonomia u tkurr më pak se vlerësimet fillestare. E goditur dy herë, fillimisht nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe më pas nga pandemia e Covid-19, Prodhimi i Brendshëm Bruto real ra me vetëm 3.3%, gjatë vitit 2020.
Kufizimet kombëtare dhe ndërkombëtare, të lidhura me pandeminë shkaktuan humbje të konsiderueshme në turizëm dhe prodhim, por kushtet ekonomike filluan të përmirësoheshin në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, pas rihapjes graduale të ekonomisë. Ndërkohë, “Programi i Reformave Ekonomikë” parashikon se ekonomia shqiptare do të rritet me një mesatare prej 5% në periudhën 2021-2023, e udhëhequr nga rimëkëmbja e fortë e konsumit privat, eksporteve dhe investimeve.
Për këtë vit dokumenti parashikon një rritje prej 5.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vend, për shkak të konsumit dhe investimeve, rritjes së fortë të eksporteve dhe shërbimeve, duke përfshirë turizmin, dhe në mënyrë të veçantë nga niveli i lartë i investimeve publike. Në vijim, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të ngadalësohet në një rritje prej 4.5% në vitin 2023. Në anën tjetër, Komisioni Europian paralajmëron se planet ambicioze të shpenzimeve kapitale pritet t’a mbajnë deficitin fiskal në mbi 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, gjatë këtij viti, ndërsa në vitin 2022 ulja e shpenzimeve do të përgjysmojë deficitin dhe do të ketë një rënie të borxhit publik.
Komisioni Europian përmend edhe sfidat kryesore, me të cilët përballe ekonomia shqiptare. Së pari, angazhimi i qeverisë për konsolidim fiskal duhet të mbështetet nga rritja e të ardhurave dhe nga përmirësimi i menaxhimit të detyrimeve. Ekziston një hapësirë e madhe për ti bërë shpenzimet publike më miqësore për rritjen ekonomike dhe më efikase. Gjithashtu, Komisioni Europian shprehet se ambienti i të bërit biznes pengohet nga dobësitë strukturore. Pavarësisht se numri i të diplomuarve në universitete po rritet, përqindja e e popullsisë me aftësi të ulëta dhe përqindja e të rinjve që nuk janë të punësuar, të shkolluar apo të trajnuar mbetet e lartë. Komisioni përmend si sfidë për qeverinë edhe varfërinë dhe përjashtimin social, pasi shpenzimet për mbrojtjen sociale dhe kujdesin shëndetësor janë të pamjaftueshme për të ulur varfërinë dhe për të rritur mbulimin e kujdesit shëndetësor.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.