Rritja ekonomike, Sejko: Është ngadalësuar në gjysmën e dytë të vitit
Rritja ekonomike mund të jetë ngadalësuar në gjysmën e dytë të vitit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën se ekonomia ka vazhduar rritjen, por, sipas treguesve të tërthortë, kjo rritje mund të ketë qenë disi më e ulët krahasuar me nivelin prej 4% të dy tremujorëve të parë.
Banka e Shqipërisë ngelet optimiste për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, megjithatë e ka shtyrë projeksionin për kthimin e inflacionit në objektiv për në gjysmën e parë të vitit 2019.
Sejko tha se rritja e ngadaltë e inflacionit mund të shpjegohet me vijimin e hendekut negativ të prodhimit, por edhe me presione të dobëta inflacioniste nga jashtë dhe me pozitat e forta të lekut në kursin e këmbimit.
Në vendimmarrjen e fundit për vitin 2017, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25%.
Megjithatë, Guvernatori përsëriti sërish gatishmërinë për ta ulur më tej normën bazë, nëse faktorët që mund të pengojnë kthimin e inflacionit në objektiv do të materializohen.
Banka e Shqipërisë i ka orientuar tregjet për vazhdimin e kursit aktual të politikës monetare edhe për vitin e ardhshëm, çka nënkupton se epoka e interesave të ulëta do të zgjasë edhe për vitin 2018.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.