Rritja ekonomike – Thyen parashikimet edhe në tremujorin II
Ekonomia shqiptare u rrit me 4.06% në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas Institutit të Statistikave, deri tani rritja e prodhimit është më e lartë se projeksionet e qeverisë shqiptare dhe institucioneve ndërkombëtare.
Rritja mesatare e dy tremujorëve të parë është 4%, ndërkohë që parashikimet për këtë vit e vendosin rritjen pranë intervalit 3.7 deri në 3.8%. Sidoqoftë, rritja do të duhet të testohet në pjesën e mbetur të vitit, kur të ketë kaluar efekti i stimulit elektoral në ekonomi.
Edhe për tremujorin e dytë të vitit kontributin kryesor në rritje e dha sektori i ndërtimit. Prodhimi i këtij sektori u rrit me 22.7% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që kontribuoi pothuajse me gjysmën e rritjes ekonomike të realizuar në tremujorin e parë.
Pesha shumë e lartë e ndërtimit në të dy tremujorët e parë tërthorazi dëshmon se shpenzimet zgjedhore e kanë ndikuar fuqishëm rritjen ekonomike. Përveç kontributit konstant të projekteve madhore në energjetikë, në gjysmën e parë të vitit u regjistrua një rritje e ndjeshme e shpenzimeve publike dhe sidomos e investimeve.
Ky efekt mund të konstatohet edhe duke parë rritjen sipas metodës së shpenzimeve, ku investimet apo formimi i kapitalit fiks janë rritur me 14.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndër sektorët e tjerë me peshë të rëndësishme në ekonomi, rritje të lartë regjistroi edhe segmenti prodhues që përfshin industrinë dhe energjetikën, me 6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Efekt pozitiv vlerësohet se ka pasur përmirësimi në degën e industrisë nxjerrëse, por ndoshta edhe industria përpunuese ka përfituar nga shtimi i parasë në qarkullim dhe i konsumit. Ritme të larta të rritjes ka shënuar edhe sektori financiar. Sipas INSTAT, prodhimi në këtë segment është rritur me 10.6%.
Notat negative edhe për tremujorin e dytë vijnë nga bujqësia, ku prodhimi u rrit në vlera të papërfillshme, me 0.13%. Nëse në tremujorin e parë rritja e dobët iu faturua motit të keq, ecuria akoma më e dobët në tremujorin e dytë tregon edhe njëherë se entuziazmi politik rreth këtij sektori në vitet e fundit është i tepruar dhe nuk gjen mbështetje te shifrat.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.