Rritja ekonomike – Ulet pesha e Tiranës, rriten Vlora dhe Korça
Rritja ekonomike e vendit po mbështetet më pak te Tirana, ndërsa është rritur pesha e Vlorës dhe Korçës. Sipas Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas rajoneve për vitin 2016, qarku i Vlorës ka regjistruar rritjen më të lartë ekonomike me 7.69%. Vlora duket se ka përfituar nga tendencat pozitive të turizmit, megjithatë rritja e lartë për vitin 2016 mund të përligjë edhe hipotezat për një kontribut të lartë të ekonomisë së zezë në rritjen e shpenzimeve në këtë qark.
Pas Vlorës, qarqet me rritjen më të lartë ishin Korça me 6.2%, Dibra me 6.19% dhe Lezha me 6.11%. Kjo e ka bërë më të rëndësishëm kontributin e këtyre qarqeve në rritjen ekonomike. Korça kontribuoi me 0.35% të rritjes totale, që për vitin 2016 ishte 3.35%.
Tirana, që natyrshëm ngelet kontribuuesi kryesor në rritjen ekonomike të vendit, për vitin 2016 nuk hyn në qarqet me rritjen më të lartë. Pesha e Tiranës në rritjen ekonomike zbriti në 1.62%, nga 2.57% që kishte qenë për vitin 2015.
Ndërsa qarku i Fierit regjistroi rënie ekonomike për të dytin vit radhazi, me 4.22%. Rënia e Fierit ka një impakt domethënës në ecurinë e prodhimit kombëtar. Për vitin 2015 Fieri dha një kontribut negativ me 0.77 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2016 kontributi ishte sërish negativ me 0.5 pikë përqindje.
Për sa i takon prodhimit për frymë, qarku më i pasur ngelet Tirana, me 699 mijë lekë në vit, i ndjekur nga Fieri me 530 mijë lekë. Përveç tyre, vetëm Gjirokastra dhe Durrësi qëndrojnë sipër mesatares kombëtare prej 513 mijë lekësh. Qarku ku prodhimi për frymë është më i ulët është Kukësi, me vetëm 314 mijë lekë në vit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.