Rritja “përmbush” objektivin, Instat: Vitin e kaluar ekonomia u rrit me 3.46%
Ekonomia shqiptare u rrit me 3.46% për vitin e kaluar. Instituti i Statistikave publikoi sot të dhënat e rritjes ekonomike për tremujorin e fundit, që plotësojnë paraprakisht mozaikun e vitit 2016.
Rritja prej 3.97% e tremujorit të fundit bëri që rritja vjetore të përmbushë projeksionin prej 3.4% të parashikuar nga qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas Instat, në tremujorin e fundit rritja u mbështet sidomos nga tregtia dhe ndërtimi.
Në tremujorin e katërt, rritja ekonomike vazhdoi të mbështetej te ritmi i lartë e investimeve dhe te një rritje më e moderuar e konsumit, ndërkohë që kontribut pozitiv dha edhe përmirësimi i ndjeshëm i eksporteve.
Mbështetur në të dhënat e Instat, ekonomia shqiptare vijoi rimëkëmbjen e ngadaltë edhe gjatë vitit 2016.
Në veçanti, tremujori i fundit i vitit të kaluar regjistroi rritjen më të lartë tremujore të regjistruar në gjashtë vitet e fundit.
Pavarësisht se shifrat finale do të jenë objekt rishikimi, tendenca e rritjes ekonomike duket pozitive, e mbështetur sidomos nga projektet e mëdha të investimeve të huaja dhe nga përmirësimi i kërkesës së brendshme konsumatore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.