Rritje e financimeve për basketbollin – Pallati i Sportit në Durrës, Rama: Kemi ambicie, ligj të ri për sponsorët

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Pallatit të ri të Sportit dhe Akademisë së Basketbollit në Durrës. Ai tha se ky sport po tërheq gjithnjë e më shumë fëmijët e të rinjtë, shkak për të cilin duhet ndërhyrë në kuadrin ligjor për të siguruar më shumë financime e sponsorizime.
“Së bashku me komunitetin e basketbollit, por jo vetëm, t’i hapim rrugë edhe një ligji bashkëkohor për sponsorizohet, në mënyrë që sponsorizimi në sport e në kulturë të stimulohet dhe të jetë një rrugë për të krijuar më shumë mbështetje financiare për sportin, veçanërisht për sportet e tjera, sepse futbolli nuk diskutohet e që sidoqoftë i ka disa mundësi që sportet e tjera nuk i kanë dhe është shumë më tepër një industri sesa thjesht një sport. Duke parë angazhimin e madh të shumë figurave të njohura të sportit, sidomos në komunitetin e basketbollit, është vërtetë një mundësia e madhe që përmes gjetes së rrugëve për të stimuluar financiarisht këtë aktivitet, ne të tërheqim shumë më tepër fëmijë drejt këtij sporti. E vërteta është që sot ka një numër mbresëlënës fëmijësh që janë të regjistruar në rrjetin e shoqatave dhe të iniciativave të ndryshme, falë edhe pjesëmarrjes së këtyre figurave.”, tha Rama.
Ai e vlerësoi Pallatin e ri lojërave me dorë si një strukturë mjaft moderne e dinjitoze që do përmbushë ambiciet për të ardhmen e këtij sporti.
“Me thënë të drejtën nuk e prisja këtë surprizë, sepse nuk mendoja që do gjeja këtu në këtë vend një infrastrukturë kaq dinjitoze, një pallat sporti në kuptimin e plotë të fjalës. Më thanë që ka dhe një sallë tjetër për stërvitje, po kaq të bukur, kështu që i takon ideatorit dhe financuesit të idesë, Iglit, një shprehje mirënjohjeje dhe respekti për këtë investim fantastik, që shpresoj shumë të frymëzojë edhe të tjerë, për të shtrirë këtë infrastrukturë në vende të tjera, pasi është e vërtetë që në Durrës ka pasur basketboll, por s’ka pasur vetëm në Durrës, ka pasur edhe në Shkodër, edhe në Vlorë, në Tiranë po e po”,u shpreh kryeministri.
Pallati i ri i Sportit ashtu si akademia e basketbollit vijnë si homazh i legjendës durrsake të këtij sporti, Dhimitraq Gogës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.