Rritje modeste në numrin e të punësuarve në shërbime e industri – Kantieret e hapura zhvillim pozitiv për ndërtimin e projektimin

Indeksi i numrit të të punësuarve në tremujorin e dytë të vitit u rrit me 0.5% krahasuar me një vit më parë, si në ndërmarrjet që ofrojnë shërbime, ashtu edhe në industri.
Ndërkohë në ndërtim, indeksi i të punësuarve ka një rritje me vetëm 3,4%, shumë pak nëse konsiderojmë se shitjet neto janë rritur me 33,7%.

Seksioni që ka patur rritjen më të lartë të numrit të të punësuarve ka qenë ai i “Grumbullimit, trajtimit dhe furnizimit me ujë”, me 11 për qind krahasuar me një vit më parë. Në këtë seksion rritja e të punësuarve është shoqëruar edhe nga rritja e fondit të pagave me 15,3%.
Në sektorin industrial, industria nxjerrëse ka një rritje të fortë të numri të të punësuarve, me 9.4%, shoqëruar nga një rritje në indeksin e fondit të pagave me 12,1%. Por, kjo rritje zbehet pak nga industria përpunuese e cila ka ulur me 0.7% numrin e të punësuarve krahasuar me 1 vit më parë.
Në grupin e prodhuesve të energjisë elektrike, gazit apo avullit, indeksi i fondit të pagave ka pësuar një rritje me 21.1%, më i lartë në grupin e përgjithshëm të prodhuesve, pavarësisht uljes së prodhimit dhe i detyrohet vetëm rritjes së shitjeve neto.

Në grupin e shërbimeve janë aktivitetet arkitekturore dhe inxhinierike ato të cilat kryesojnë rritjen në numrin e të punësuarve, me një shtim prej 12.2% krahasuar me periudhën Prill-Qershor 2016.
Në këtë grup asnjë nënkategori aktivitetesh ekonomike nuk ka ulur numrin e punonjësve, por vihet re një rritje në fondin e pagave në strukturat hoteliere. Kjo mund t’i atribuohet nismës për formalizimin e sektorit të turizmit, por kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë si ulja e TVSH-së dhe shtimi i turistëve.
Ndërkohë rritja në shitjet neto në aktivitetet e tur operatorëve dhe agjencive të udhëtimit është përkthyer edhe në rritje e fondit të pagave me 13,7 % krahasuar me një vit më parë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.