Rritje pagash edhe në sektorin e shëndetësisë
Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj përpara disa javësh ka folur për një rritje pagash në sektorin publik prej 5%.
Por për sindikatat kjo rritje është konsideruar e pamjaftueshme dhe në rast se nuk do të plotësohet kërkesa e tyre për një rritje prej 15 %, pritet të ketë protesta.
Edhe ministri i shëndetësisë Ismaili, ka treguar se nuk është aspak i kënaqur me rrogat e mjekëve. Në një intervistë për Ekonomia Online, ai ka thënë se krahas investimeve të tjera që do të bëjë në shëndetësi do të kujdeset edhe për rritjen e pagave në këtë sektor, duke shtuar se ato do të jenë të ndërlidhura me cilësinë që i ofrohet qytetarëve.
Përsa i përket pakënaqësisë së shprehur për rritjen e vogël të pagave, Ismaili ka thënë se është në diskutim me sindikatat në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme edhe për ta por edhe për buxhetin e Kosovës.
“Unë jam në diskutim me ta, kam vazhduar diskutimin social që e quajmë me sindikatat në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të kënaqshme edhe për ata por e pranueshme edhe për buxhetin e Republikës së Kosovës. Unë nuk jam i kënaqur me pagat të cilat ata marrin sot, prandaj do të bëj çmos, siç thashë që krahas investimeve në infrastrukturë, investimeve në barna, investimeve në pajisje, krahas kësaj të ndihmojë edhe në rritjen e pagave. Mirëpo më duhet të them që rritja e pagave duhet të jetë e ndërlidhur edhe me cilësinë që u ofrojmë qytetarëve”, shtoi ai.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.