‘Rritje të taksave për të pasurit’ – Propozimi i Biden shkakton shitje masive në Wall Street

Presidenti i SHBA Joe Biden thuhet se do të propozojë një rritje të taksave për amerikanët më të pasur. Propozimi do të rrisë nivelin më të lartë margjinal dhe do të rrisë taksat mbi fitimet e investimeve për të pasurit. Rritja e taksave do të ndihmonte në pagesat e kujdesit për fëmijët dhe arsimimin, por nuk do të përdorej për kujdesin shëndetësor, sipas raporteve.
Lajmi shkaktoi një shitje masive në Wall Street, me indekse të mëdha që rrëshqisnin gjatë seancës tregtare të së enjtes. Shtëpia e Bardhë tha se Plani Amerikan i Familjes, të cilin Biden pritet ta paraqesë të plotë javën e ardhshme, nuk do të ndikojë në asnjë familje që fiton më pak se 400,000 dollarë në vit.
Propozimi do të rrisë nivelin më të lartë të tatimit mbi të ardhurat në 39.6% nga 37%, sipas New York Times dhe Bloomberg.
Masa do të përmbyste në mënyrë efektive uljen e taksës së të ardhurave të Donald Trump në vitin 2017 për fitimet më të larta. Plani gjithashtu do të dyfishojë taksat mbi fitimet e kapitalit në 39.6% për njerëzit që fitojnë më shumë se 1 milion dollarë.
Është një rritje dramatike nga norma aktuale prej 20%. Në disa shtete që e vendosin vet taksën e fitimeve të tyre kapitale, fatura totale me të cilën mund të përballen disa investitorë mund të kalojë 50%.
Plani pritet gjerësisht të hasë rezistencë nga republikanët në Kongres. Megjithëse Demokratët mbajnë një shumicë të pakët, ata mund të mos e mbështesin planin unanimisht.
Sidoqoftë, lajmi ishte i mjaftueshëm për të shkaktuar disa shqetësime në Wall Street. Dow Jones Industrial Average ra 420 pikë ndërsa indeksi i Nasdaq gjithashtu ra me 0.9%. (BBC)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.