Rrjetat e merimangave dhe krimbat e mëndafshit mund të përdoren për të krijuar lëkurë artificiale

Është i ditur fakti se rrjetat e merimangave kanë një rezistencë jashtëzakonisht të madhe, por ky material ka gjithashtu një tolerabilitet të lartë dhe karakteristika antimikrobike, veti të cilat kanë shtyrë një grup shkencëtarësh suedezë ta përdorin si bazë për lëkurën artificiale.
Kjo lëkurë e krijuar nuk provokon reaksione refuzimi dhe dekurajon infeksionet. Për këtë lloj shtrese ka nevojë të madhe, për njerëzit që vuajnë nga sëmundje që shkaktojnë dëmtime të lëkurës.
Rrjeta e merimangës është një material me përbërje proteinike, si kolagjeni, proteina kryesore që rrethon qelizat e lëkurës, ndërsa elasticiteti i saj është i ngjashëm me epidermën e njeriut. Këto janë dhe veçoritë që kanë tërhequr vëmendjen e KTH Instituti Mbretëror i Teknologjisë në Stokholm.
Në fazën e parë, ekipi ka modifikuar bakteret E. Coli për të prodhuar proteinat e rrjetave të merimangës, të pasuruara me substanca kimike, që si në trupin e njeriut, nxisin rritjen e qelizave. Kjo procedurë ka sjellë krijimin e një lëkure artificale me veti bioaktive, megjithëse përmes një teknike shumë komplekse dhe të kushtueshme.
Ndaj për të reduktuar sasinë e materialit që merret në këtë mënyrë, shkencëtarët kanë parashikuar vendosjen në shtresën e parë të një “jastëku” të bërë nga një tjetër tip substance proteinike: atë të fshikëzave të krimbave të mëndafshit. Edhe ky lloj materiali ka veti të shkëlqyera mekanike.
Ndërthurja me dy shtresa është përdorur si një sfungjer poroz për të vendosur qeliza të lëkurës njerëzore. Në total, kjo ka mundësuar zhvillimin dhe shumimin e qelizave, ndërsa substancat antibakterike kanë shmangur infeksionet. Lëkura e përftuar në këtë mënyrë u soll njëlloj si ajo njerëzore. Tashmë duhet kuptuar nëse kjo mund të funksionojë edhe mbi organizmat e gjalla.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.