Rrjeti i bankave – Ulet më tej numri i degëve dhe agjencive
Bankat po zvogëlojnë më tej rrjetin e tyre të degëve gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të shtatorit, numri i degëve dhe agjencive ra në 494, nga 503 që ishte në fillim të vitit. E njëjta tendencë ishte vërejtur edhe gjatë vitit të kaluar, kur bankat kishin mbyllur 15 degë.
Që nga viti 2012, numri i degëve dhe agjencive bankare është ulur me 62 njësi. Pas krizës, shumica e bankave kanë ndjekur një politikë më të kujdesshme të shpenzimeve. Kjo ka sjellë edhe mbylljen e një pjese të degëve jo eficiente. Pakësimi i numrit të degëve lidhet gjithashtu edhe strategjinë e zvogëlimit të aktivitetit që kanë ndjekur pjesa më e madhe e bankave me kapital të huaj. Sidoqoftë, përveç nevojës për të ulur shpenzimet, tkurrja e rrjetit të degëve do të jetë edhe një tipar në modelin e biznesit, duke pasur parasysh rolin në rritje të teknologjisë në shoqëri dhe ekonomi.
Zgjerimi i shërbimeve në distancë përmes internetit dhe telefonave të lëvizshëm do ta ulë domosdoshmërinë e një pranie të zgjeruar fizike të degëve bankare. Megjithatë, Shqipëria është ende larg masivizimit të shërbimeve bankare në distancë dhe, krahasuar me vendet e tjera, ka një depërtim të ulët të njësive bankare. Përllogaritet se Shqipëria ka rreth 17 degë bankare për 100 mijë banorë, duke pasur një nga nivelet më të ulët në rajon.
Vendet e tjera kanë një përqendrim të degëve bankare në intervalin mes 25 dhe 30 degë për 100 mijë banorë, me përjashtim të Malit të Zi, ku dendësia e njësive bankare është shumë më e lartë, me 43 për 100 mijë banorë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.