Rruga e Arbrit me PPP – Kontrata lidhet në Maj, vetëm një ofertues
Rruga e Arbrit do t’i besohet një kompanie private brenda muajit Maj. Ashtu sikurse është premtuar nga kryeministri Edi Rama, duket se ky aks shumë i rëndësishëm për vendin do të jetë një ndër aplikimet e para të paketës “1 miliard euro”, sipas formulës së Partneritetit Publik- Privat.
Kompania shqiptare “Gjoka construction” është e vetmja që ka dorëzuar ofertën ekonomike pranë Ministrisë së Transporteve dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka afat dy muaj për të shqyrtuar kriteret teknike dhe ekonomike dhe më pas të marrë një vendim.
Kështu, afati përfundimtar për marrjen e një vendimi është mesi i muajit Prill, duke bërë që në muajin Maj të lidhet kontrata. Burime nga Ministria e Transporteve bëjnë me dije se oferta e dhënë është rreth 200 milion dollarë, të cilat do të investohen fillimisht nga firma dhe më pas qeveria shqiptare do të nisë shlyerjen kundrejt një norme të caktuar interesi.
Rruga e Arbrit do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni me një gjatësi prej rreth 75 kilometra. Ky aks rrugor shkurton ndjeshëm distancën mes Tiranës dhe Dibrës dhe tashmë kanë mbetur edhe 27 km të papërfunduara të cilat kanë kosto shumë të lartë për shkak të terrenit të vështire dhe risk në kthimin e investimit, pasi fluksi i automjeteve që kalojnë në këtë rrugë është relativisht i ulët.
Elisabeta Dosku/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.