Rruga Korçë-Ersekë – Merr fund ‘zvarritja’, jepen 466 milionë lekë për asfaltimin

Pas zvarritjeve disavjeçare, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka hapur rrugën asfaltimit të aksit rrugor Korçë-Ersekë. Ky dikaster ka shpallur fituesin e tenderit që do të kryejë punimet, ndërsa fondi i vënë në dispozicion është rreth 466 milion lekë pa TVSH.
Sipas njoftimit të publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik fitues është shpallur kompania ANK SHPK, e cila duhet të paraqitet pranë ARRSH-së për sigurimin e ofertës. E njëjta kompani u shpall fituese në qershor të vitit 2013 për sistemimin dhe asfaltimin e kësaj rruge, por që prej kësaj kohe punimet janë zvarritur herë pas herë për shkak të mungesës së fondeve.
Vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akuzuar qeverinë për mosdhënien e tyre, ndërkohë që ankesat e banorëve dhe biznesin kanë qenë të shumta për shkak të kushteve të këqija që ofron aktualisht ky segment rrugor. Rruga Korçë-Ersekë është një aks kyç në rajonin jug-lindor, ndërsa projekti parashikon ndryshime të rrugës aktuale, duke shmangur disa prej segmenteve, të cilët në dimër paraqesin problematikë nga ngricat dhe bora.
Sipas të dhënave investimi total kalon shifrën e 2 miliardë lekëve dhe synon mosbllokimin e kësaj rruge gjatë dimrit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.