Rrugët që do t’i nënshtrohen rikonstruksionit në Durrës- Bashkia hap tenderat për projektet
Bashkia e Durrësit ka hapur procedurat e tenderimit për rikonstruksionin e dy segmenteve rrugore, konkretisht rrugën ‘E ardhmja e Kombit’ dhe ‘Shqipja Arbnore’.
Fondi limit i vënë në dispozicion për rehabilitimin e këtyre rrugëve kap vlerën e rreth 28 milionë lekë, ku 14.9 milionë janë parashikuar për rrugën ‘E ardhmja e Kombit’ dhe pjesa e mbetur për segmentin tjetër rrugor.
Projekti për rrugën ‘ E ardhmja e Kombit’, e cila ndodhet në Shkozet, parashikon sistemin e rrugës me një gjatësi rreth 630 metra e cila nuk ka qenë shtruar. Rruga do të zgjerohet me një gjerësi rreth 5 metra dhe do të ndërtohen bankina me çakull pjesërisht në të dy anët e saj.
Sa i takon sistemimit të ujërave të shiut, është parashikuar grumbullimi i tyre pjesërisht me vetërrjedhje dhe pjesërisht me tub në njërën anë të rrugës. Pas përfundimit të shtresave të planifikuara, do të bëhet edhe shtrimi i rrugës me asfalt.
Ndërkohë, sa i takon rrugës ‘Shqipja Arbnore’, ndërhyrja që do të kryhet në të përfshin asfaltimin e saj, sistemimin e ujërave të bardha me pjerrësinë e duhur, trotuar betoni si dhe kanalizime të ujërave të zeza. Aktualisht, ky segment rrugor është i pashtruar dhe mungon sistemimi i ujërave të bardha dhe të zeza.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët ekonomikë është përcaktuar data 17 tetor 2018, ndërsa lidhur me kohëzgjatjen e kontratës, dokumentat specifikojnë një periudhë kohore prej 90 ditësh nga nënshkrimi i saj.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.