Rrugëtimi i Kinës drejt Europës Lindore! Anëtarët e “Rrjetit 16+1” të zhgënjyer, projektet nuk janë materializuar
Nga Klevis Llaha
Përpjekjet e Kinës për investime në Europën Lindore, po shihen nga këto vende si premtime të dështuara në materializimin e parasë. Grupi i ashtuquajtur “16+1” u themelua nga Kina me qëllim rritjen e prezencës në Europën Lindore.
Vendet anëtare, që përfshihet 11 shtete të Bashkimit Europian, nga Polonia e deri te Hungaria dhe Estonia, plus 5 vende të Ballkanit përfshirë Shqipërinë, e panë forumin vjetor si një mënyrë për të tërhequr investime kineze në infrastrukturë, si rrugët dhe rrjete hekurudhore, për të nxitur ekonomitë e tyre. Megjithatë, shumë prej këtyre shteteve janë të zhgënjyera me mungesën e investimeve nga Kina, sipas personave prezentë në forum.
Vendet anëtare janë gjithashtu të pakënaqura me preferencën e Pekinit për të ofruar kredi dhe jo para “cash” dhe kanë bërë të ditur se ka mundësi më të mira brenda kuadrit të Bashkimit Europian, nëpërmjet Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Disa prej këtyre projekteve që janë materializuar me ndihmën kineze, kanë tërhequr gjithashtu kritika. Kostot për zhvillimin e një autostrade në Mal të Zi, kanë bërë që qendra në Uashington për Zhvillim Global ta etiketojë vendin si në rrezik të madh të borxhit. Tenderi për një hekurudhë ende të papërfunduar mes Budapestit dhe Beogradit, ka nxitur një hetim nga Komisioni Europian.
Shtohet skepticizmi
Sipas analistëve, shqetësimet ndaj skemës kanë nisur prej disa kohësh. Kushtet e bashkëngjitura me projektet shihen nga vendet anëtare të “16+1” të ngjashme me ato të ofruara ndaj shteteve afrikane dhe disa vende e kanë marrë për ofendim. Paketa nuk duket më aq tërheqëse sa Kina e mendonte. Lidhjet tregtare dhe të investimeve mes Kinës dhe Europës Qendrore dhe Lindore janë përmirësuar në dekadën e fundit, megjithatë, sipas analistëve, nuk janë arritur ende vlerat e deklaruara dhe disa vende janë zhgënjyer. “Rrjeti 16+1” ka qenë kontradiktor që nga momenti i zanafillës në vitin 2012.
Forumi, i pajisur me një sekretariat të vetin të përbërë nga diplomatë kinezë, zhvillon një samit vjetor me vendet anëtare, duke i dhënë atyre mundësinë për biseda me kryeministrin kinez, Li Keqiang.
Fokusi është te projektet që përfshihen në iniciativën gjigante të infrastrukturës, “Një Brez, Një Rrugë”. Në fillim, zyrtarët e Bashkimit Europian shqetësoheshin se kjo ishte një përpjekje e Kinës për të ndarë vendet e varfëra lindore të bllokut nga Brukseli. Sipas një raporti të publikuar në dhjetor të vitit 2017 për lidhjet mes BE dhe Kinës nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, skema “16+1” rezultoi si një parktikë për “Ndarje dhe Qeverisje”.
Anëtarët, të pakënaqur
Trazirat në lidhje me forumin mund të mirëpriten nga Brukseli dhe disa vende të tjera anëtare, si Gjermania dhe Franca, janë përpjekur të limitojnë investimet kineze në kompani dhe infrastrukturën kritike të bllokut.
Gjermania në veçanti, ka kundërshtuar hapur “Rrjetin 16+1”. Sipas zyrtarëve në Berlin, Gjermania nuk ka problem që vendet lindore të ndjekin lidhje ekonomike me Pekinin, por jo me koston e cënimit të politikave të përbashkëta Europiane ndaj Kinës. Ekziston një rrezik i nënkuptuar se investimet kineze kërkojnë në kthim favore politike.
Kryeministri polak, Matesz Morawiecki, që drejton vendin më të madh europian të “Rrjetit 16+1”, ka munguar në samitin e këtij viti në Sofje të Bullgarisë. Ndër vendet lindore, Polonia ka pasur skepticizmin më të madh.
“Ka pasur një mospërputhje të pritshmërive”, tha Piotr Buras, që drejton zyrën në Varshavë të Këshillit Europian mbi Marrëdhëniet e Jashtme. Polonia kërkonte investime direkte nga Kina dhe përfshirje në projekte “Greenfield”, ndërkohë që Kina ishte më shumë e interesuar në kontrata publike për infrastrukturë, kushte preferenciale dhe blerje të kompanive të teknologjisë së lartë.
Ai përmendi gjithashtu një konflikt mes disa vendeve të Lindjes, se Polonia do të zgjidhte Kinën si partner strategjik ndaj Shteteve ë Bashkuara. Mungesa e eficencës dhe ndërhyrja shtetërore përbëjnë ankesat e tjera të shprehura nga vendet anëtare.
Animi nga Lindja
Kina mendon ende se ish-vendet Sovjetike në Europën Lindore anojnë nga Pekini, por sipas zyrtarëve pjesëmarrës në forum, lidhjet diplomatike kanë ndryshuar në ditët e sotme. Megjithatë, “Rrjeti 16+1” nuk ka gjasa të braktiset.
Vendet shohin ende vlera te projekti dhe mendojnë se ky rrjet do të rrisë profilin e tyre në provincat e pasura të Kinës. Kjo përbën një përfitim për vendet e vogla pjesëmarrëse. Sipas zyrtarëve kinezë, kjo nuk ka të bëjë me ndarjen e Europës. Sipas tyre, shtetet qendrore dhe lindore janë dytësore edhe nëse anëtarësohen në Bashkimin Europian, prandaj edhe po anojnë nga Lindja.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.