Rumania në Eurozonë në 2022 – Plotëson kushtet formale, por i trembet impaktit

Rumania, që është edhe një prej ekonomive me rritjen më të shpejtë ndër vendet e Bashkimit Europian, mund të bëhet pjesë e Eurozonës në vitin 2022, deklaroi ministri i jashtëm i vendit.
Kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse, të ardhurat e më të varfërve në vend do të rriten. Pavarësisht se është vend anëtar i Bashkimit Europian, Rumania vuan një pabarazi të madhe ekonomike, dhe një pjesë e konsiderueshme e popullsisë jeton në varfëri.
Gjithsesi, ministri i jashtëm u shpreh se, sot që flasim, Rumania i ka përmbushur të gjitha kriteret formale për tu bërë pjesë e zonës së monedhës së përbashkët europiane. Madje, nëse do, mund të bëhet anëtare që prej të nesërmes, shtoi ai.
“Por, ne kemi frikë se, kjo gjë do të ketë një impakt negativ te me të varfërit, e sidomos te pensionistët“, nënvizoi ai. Eurozona aktualisht ka 19 vende anëtare, dhe e fundit që i është bashkuar është Lituania në vitin 2015.
Rumania ka një popullsi prej 21.4 milionë banorësh dhe po njeh një rritje ekonomike pranë 5.5%. Por, njëkohësisht, është një prej vendeve më të varfëra të Bashkimit Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.