Rusët në kërkim të banesave në vend: “Shqiptarët shesin apartamente të reja me çmimin e një makine të përdorur”

Rusët patën një rënie interesi për blerjen e apartamenteve në Europë pas zhvillimeve që ndodhën me përfshirjen e Krimesë, por edhe rindërtimin e Sochi-t për lojërat olimpike. Megjithatë, tanimë që vëmendja duket se është rikthyer nga kontinenti i vjetër, disa vështirësi janë shtuar.
Në Europë rritja e kërkesave për pasuri të paluajtshme është rritur së bashku me çmimet, e si të mos mjaftonte kjo, edhe kursi i këmbimit mes rublës dhe euros është në disfavor të rusëve.
“Me një buxhet prej 2 milionë rublash, ose më pak se 29 mijë eurosh, një blerës potencial i një shtëpie pushimi në Europë nuk ka çfarë të bëjë, me përjashtim të një shteti ku ka dy dete, dielli dhe mbi të gjitha, një perspektivë në rritjen e çmimit për metër katror. Kjo është Shqipëria,”, shkruan media ruse lenta.ru në artikullin që gjendet në krye të faqes.
Kështu, për rusët Shqipëria duket se po kthehet në një Mal të Zi të dytë, sidomos me marrëdhëniet e përkeqësuara mes dy vendeve pas aderimit në NATO.
Artikulli tregon eksperiencën e një artisteje nga Moska, e cila ka blerë një apartament në Sarandë. Ajo tregon paragjykimet fillestare që kishin prindërit dhe miqtë për Shqipërinë, por më pas Olga tregon se si këto paragjykime ranë.
“Në Shqipërinë moderne, u mësuar shpejt të ndërtoheshin banesa me cilësi të lartë dhe eficiencë, të denja për standardet e Europës Perëndimore”, shkruhet në artikull dhe vijon duke treguar për tregun e Real Estate në Shqipëri.
“Shumica e apartamenteve shiten bosh, por ato mund të mobilohen nga prodhues shqiptarë bazuar në katalogët italianë dhe me materiale cilësore”, thotë për median ruse Tatiana Balliu, një specialiste e pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Ajo rekomandon për rusët që të blejnë një apartament të ri, në vend që të blejnë një të vjetër, për të evituar konfliktet mbi pronësinë.Ajo gjithashtu këshillon të blejnë një banesë vetëm kur ka hipotekë, pasi ka ndodhur që disa njerëz të pretendojnë pronësinë mbi një objekt.
Për ta bërë edhe më tërheqës për rusët, artikulli konstaton se çmimet e banesave janë 1.5-2 herë më të lira se në Kroaci dhe Mal të Zi. Sidomos në zonat bregdetare, ku çmimi për metër katror varion nga 411 deri në 617 euro në Durrës dhe 588 deri në 736 euro në Sarandë.
“Për të lehtësuar blerjet e banesave, ndëtuesit janë të gatshëm të ofrojnë edhe pagesa pa interesa nga disa muaj deri në një vit e gjysmë”, thotë ekspertja e këtij tregu.
Me një buxhet deri në 50 mijë euro, dikush mund të blejë edhe në apartament elitar pranë detit.
“Fluksi i turistëve po rritet në vend gjithmonë e më shumë dhe kjo ka një efekt të favorshëm në vlerën e pasurive të paluajtshme. Në terma afatgjatë, çmimet do të fillojnë të rriten shpejt, nëse Shqipëria anëtarësohen në Bashkimin Europian”, parashikon Yuliya Kozhevnikova, eksperte dhe investitore në tregun e pasurive të paluajtshme.
Favorizues për të huajt duket se janë edhe kreditë bankare, si një opsion financimi. Megjithatë, artikulli përmend edhe aspektet negative të një investimi në banesa në Shqipëri.
“Shqipëria nuk është e orientuar drejt tregut të jashtëm. E para, dikush nuk mund të zotërojë tokë. E dyta, ndërtuesit synojnë tregun vendas. Pra Shqipëria është një zgjedhje ekzotike më shumë se sa racionale”, thotë Gennady Tuzov, drejtor i një agjencie real estate. “Nuk kam dyshim se gjërat do të ecin mirë për shqiptarët, por kjo është një perspektivë afatgjatë. Do të kishte investime interesante në tokë, por kjo është e pamundur në nivel legjislativ”, shprehet Tuzov.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.