Rusia, sërish eksportuesi më i madh i grurit pas një shekulli

Gruri rus po qarkullon nëpër botë në një mënyrë të tillë që nuk ishte parë që nga vitet e fundit të perandorisë cariste një shekull më parë. Megjithatë zgjerimi i eksporteve të vendit duket se do të arrijnë limitet për shkak të mungesës së infrastrukturës.
Edhe pse Rusia i ka shtuar kapacitetet për eksportimin e grurit 9-fish gjatë këtyre 15 viteve, kjo nuk do të mjaftojë për të mbajtur ritmin e të korrave të 2017-2018, të cilat pritet të arrijnë rekordin e 133 milionë tonëve.
Nga kjo sasi e prodhuar, 44.5 milionë ton janë përcaktuar për eksport, në rritje nga 37.7 milionë ton një vit më parë. Por analistët dhe zyrtarët shprehen se kjo është sasia që mund të përballojë infrastruktura e vendit për momentin.
“Po të mos ishte çështja e infrastrukturës ne tano do të mund të dërgonim mbi 50-55 milionë ton”, tha Andrey Sizov, drejtori i SovEcon, një prej agjencive lider konsultuese për agrikulturën.
Gjithsesi, 45 milionë ton grurë, thekër, elb dhe drithëra të tjera të eksportuara është një përmirësim shumë i madh për Rusinë. Në vitin 2000-2001, ajo eksportoi vetëm 1.3 milionë ton drithëra.
Ringritja e Rusisë në këtë drejtim ka sjellë një tepri drithërash në botë, ndërsa çmimet janë në rënie të qëndrueshme. Nëse në nëntor të 2012-ës, çmimet e grurit arritën në 9.16$ për shinik, Shtatorin e shkuar ai zbriti për herë të parë prej vitin 2006 nën çmimin 4$ për shinik.
Rusia gjithashtu këtë vit do të tejkalojë Shtetet e Bashkuara si eksportuesin më të madh të grurit në botë, duke rimarrë vendin e parë, të cilin e mbante para Luftës së Parë Botërore dhe do të çementosë pozicionin kryesues që mban ndaj prodhuesve të tjerë si BE, Kanadaja, Australia dhe Ukraina.
Në kërkim të tregjeve të reja, Rusia ka arritur të rrisë eksportet në vendet aziatike si Bangladeshi dhe Indonezia, të cilat furnizoheshin tradicionalisht nga Australi. Gjithashtu, ka arritur të shtojë eksportët në Marok dhe tregje të tjera, të cilat tradicionalisht furnizoheshin nga Franca.
Por, duket se frikërat për vazhdimin e ngjitjes së madhe ruse në tregjet e drithit janë qetësuar për momentin për shkak të mbingarkimit në dërgesa.
“Do të ketë një situatë të vështirë në kapacitetin e infrastrukturës së porteve dhe transportit, sidomos në gjysmën e parë të sezonit”, thotë Dmitry Rylko, kreu i Institutit për Studimet të Tregut Bujqësor.
Kjo situatë vjen për shkak se gjatë periudhës sovjetike, shteti ishte kryesisht importues i drithërave për konsum të brendshëm dhe për të furnizuar industrinë e madhe të mishit dhe bulmetit, ndërsa pjesa më e madhe e drithit vinte në portet që tashmë janë shtete të pavarura baltike.
Tanimë, teksa shumica e projekteve për të rritur kapacitetin eksportues të Rusisë po ndërtohen apo diskutohen, asnjë nuk do të mbarojë para vitit 2020, që do të thotë se shteti me shumë gjasa do të shtojë stokun e këtij produkti.
Ministri i Bujqësisë Tkachev ka thënë se vetëm projektet e infrastrukturës që do të ndërtohen pranë Kinës, do të shtojnë kapacitetin me 11 milionë ton deri në vitin 2020. Megjithatë analistët besojnë se do të duhet edhe një vit kohë përpara se ato të jenë tërësisht funksionale.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.