Rusia, eksportuesi më i madh në botë i grurit, pezullon lëvizjen e anijeve tregtare në Detin e Zi!

Rusia ka pezulluar lëvizjen e anijeve tregtare në detin Azov deri në njoftimin e mëtejshëm, por i ka mbajtur portet e saj në Detin e Zi të hapura për lundrim, thanë të enjten zyrtarët e saj dhe pesë burime të industrisë së grurit.
Presidenti rus Vladimir Putin autorizoi “një operacion special ushtarak” kundër Ukrainës të enjten për të eliminuar atë që ai e quajti një kërcënim serioz, duke thënë se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte fqinjin jugor të Rusisë.
Rusia, eksportuesi më i madh në botë i grurit, transporton kryesisht grurin e saj nga portet në Detin e Zi. Deti Azov është shtëpia e porteve ujore të cekëta me kapacitet më të vogël. “Të gjitha anijet janë në ‘ndalim’ (në detin Azov)”, tha një burim i industrisë së drithërave.
Kontrata më aktive e grurit në Çikago është rritur me 5.6% në nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2012. Rusia dhe Ukraina përbëjnë 29% të eksporteve globale të grurit, 19% të furnizimeve botërore të misrit dhe 80% të eksporteve botërore të vajit të lulediellit.
Rusia prodhoi 76 milionë tonë grurë vitin e kaluar dhe pritet nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë të eksportojë 35 milionë tonë në sezonin korrik-qershor, 17% e totalit global. Rusia furnizon me grurë të gjithë blerësit kryesorë globalë. Turqia dhe Egjipti janë importuesit më të mëdhenj.
Ukraina i kërkoi Turqisë të mbyllte ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet ruse, tha më herët të enjten ambasadori ukrainas në Ankara. Ende nuk ka asnjë reagim ndaj kërkesës së Ankarasë.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.