Rusia përdor për herë të parë raketa të avancuara hipersonike në Ukrainë!
Rusia përdori raketat e saj më të reja hipersonike Kinzhal për herë të parë në Ukrainë të premten për të shkatërruar një depo armësh në perëndim të vendit, tha ministria e mbrojtjes.
Rusia nuk e ka pranuar kurrë më parë përdorimin e armës me precizion të lartë në luftime dhe agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti tha se ishte përdorimi i parë i armëve hipersonike Kinzhal gjatë konfliktit në Ukrainën pro-perëndimore.
“Sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aeroballistike hipersonike shkatërroi një depo të madhe nëntokësore që përmbante raketa dhe municione aviacioni në fshatin Deliatyn në rajonin Ivano-Frankivsk”, tha të shtunën ministria ruse e mbrojtjes. Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes nuk pranoi të komentojë kur u kontaktua nga AFP.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka cilësuar raketën Kinzhal (Dagger) “një armë ideale” që fluturon me 10 herë shpejtësinë e zërit dhe mund të kapërcejë sistemet e mbrojtjes ajrore. Raketa Kinzhal ishte një nga një sërë armësh të reja që Putini zbuloi në fjalimin e tij të shtetit në vitin 2018.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.