Rusia shkatërron laboratorin e ri në termocentralin bërthamor të Çernobilit – Monitoruesit e rrezatimit, jashtë funksionit!

Forcat ushtarake ruse kanë shkatërruar një laborator të ri në termocentralin bërthamor të Çernobilit, i cili ndër të tjera punon për të përmirësuar menaxhimin e mbetjeve radioaktive, tha të martën agjencia shtetërore e Ukrainës përgjegjëse për zonën e përjashtimit të Çernobilit.
Ushtria ruse kapi uzinën e çmontuar në fillim të luftës. Zona e përjashtimit është zona e kontaminuar rreth uzinës, vendi i shkrirjes më të keqe bërthamore në botë në vitin 1986.
Agjencia shtetërore tha se laboratori, i ndërtuar me një kosto prej 6 milionë eurosh me mbështetjen e Komisionit Europian, u hap në vitin 2015.
Laboratori përmbante “mostra shumë aktive dhe mostra të radionuklideve që tani janë në duart e armikut, të cilat shpresojmë se do të dëmtojnë veten dhe jo botën e qytetëruar”, tha agjencia në deklaratën e saj.
Radionuklidet janë atome të paqëndrueshme të elementeve kimike që lëshojnë rrezatim.
Në një tjetër zhvillim shqetësues, agjencia rregullatore bërthamore e Ukrainës tha të hënën se monitoruesit e rrezatimit rreth uzinës kishin pushuar së punuari. AP
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.