Ryanair, humbje rekord prej 815 mln euro / Trafiku bie me 80% në vitin e plotë. Pret rimëkëmbje së shpejti
Ryanair raportoi një humbje rekord vjetore pas taksave prej 815 milionë euro, ndërkohë që kufizimet e Covid-19 e kanë detyruar të braktisë mbi 80% të fluturimeve. Megjithatë, kompania irlandeze deklaroi se po shfaqen shenja të rimëkëmbjes. Linja më e madhe low-cost në Evropë, regjistroi 27.5 milionë pasagjerë në vitin financiar që u mbyll në fund të Marsit, në rënie nga 149 milionë në vitin e kaluar. Kompania e quajti “vitin më sfidues në historinë 35-vjeçare të Ryanair, që e ka detyruar të shkurtojë kapacitetin dhe 1,000 vende pune. Ekzekutivi i Ryanaur, Michael O’Leary, tha se linja ajrore është optimiste për muajt e ardhshëm, ndërkohë që programi i vaksinimit në Britani vazhdon me sukses.
Deri në 31 Mars të vitit të ardhshëm, kur mbaron viti aktual financiar, kompania pret që të regjistrojë 80-100 milionë pasagjerë.
Për tremujorin Prill-Qershor, zakonisht më i ngarkuari, kompania pritet të fluturojë vetëm 5-6 milionë pasagjerë.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.