Ryanair “pushton” Europën – Synon monopolin e fluturimeve brenda kontinentit
Gjigandi i fluturimeve ajrore, RyanAir ka gati një plan mjaft ambicioz, që e katapulton kompaninë irlandeze si lider në kontinent.
Ryanair ka gati marrëveshjet me Norwegian Air, Aer lingus, Alitalia apo Lufthansa. Irlandezët kërkojnë të marrin ekskluzivitetin e fluturimeve brenda kontinentit, duke i lënë kompanive të mëdha tradicionale europiane monopolin e fluturimeve interkontinentale. Ryanair është e gatshme të shtojë fluturimet brenda Europës për të plotësuar kërkesat që ka tregu.
“Ne duam të bindim kompanitë tradicionale që të ndalojnë së konkurruari me ne, mbi fluturimet e shkurtra. Duke punuar me ne dhe bashkëpunuar mbi këto lloj fluturimesh, ata humbasin më pak para, dhe kanë më pak konkurrencë”, deklaroi një drejtues i lartë i Ryanair.
Kompania kërkon ti mbyllë pazaret brenda muajve të verës, në mënyrë që gjatë kulmit të sezonit, të jetë ajo kompania që dominon qiejt e Europës. Plani nuk është utopi, duke pasur parasysh edhe faktin se kompanitë tradicionale europiane po vuajnë fitimet e ulëta për shkak të konkurrencës nga kompanitë low-cost. Disa prej tyre janë madje në prag falimenti. Alitalia humbet rreth 1 milionë euro çdo ditë.
Ryanair synon të transportojë 200 milionë pasagjerë deri në vitin 2025, nga 117 milionë në vitin 2016. Kompania ka porositur rreth 100 avionë Boeing duke u kthyer në flotën ajrore më të frikshme të kontinentit.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.