Sa Eurobonde ka emetuar Shqipëria?Dy janë shlyer, dy janë ende aktivë
Eurobondi është një instrument me afat maturimi më shumë se një vit, i cili emetohet në monedhë të huaj në tregun ndërkombëtar. Kjo është hera e pestë që vendi ynë u drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit.
Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5% dhe është shlyer në vitin 2015.
Eurobondi i dytë u emetua në vitin 2015 me maturim 5-vjeçar, në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 5.75 % dhe është shlyer në vitin 2020.
Ndërkohë, janë 2 eurobonde ende aktive, që nuk janë shlyer.
Eurobondi i tretë është ai i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50%;
Eurobondi i katërt është ai i emetuar në vitin 2020, në vlerën prej 650 milionë eurosh, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.50%.
Ministria e Financave vlerëson se gjatë emetimeve të njëpasnjëshme, Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta. Nëse analizojmë vitet, rezulton se Shqipëria ka ngushtuar distancën kohore mes emetimit të Eurobondeve, duke i bërë ato thuajse të përvitshme.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.