Sa kontribuon një duhanpirës në buxhetin e Shqipërisë? Rreth 230 euro në vit vetëm nga taksat, mbi 1.6% të PBB-së vjetore

Duhanpirja është një kosto e madhe për ekonominë e secilit vend, në terma afat-gjatë. Sipas një studimi të publikuar sëfundmi, kostot nga konsumi i duhanit ndaj ekonomisë shqiptare, përfshi kostot e drejtpërdrejta shëndetësore dhe ato të tërthorta nga rënia e produktivitetit si pasojë e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, llogariten në rreth 270 milionë euro.
Por, në terma afat-shkurtër, duhanpirësit janë një kontribut mëse i vyer për buxhetin e shtetit. Duke u bazuar në të dhënat më të fundit të drejtorisë së përgjithshme të doganave, deri në muajin nëntor të vitit të kaluar, akciza nga duhani ishte zëri i dytë i të ardhurave sipas produkteve, me diçka më shumë se 20 miliardë lekë. Bazuar në të dhënat edhe të viteve të kaluar por edhe të 11 muajve të parë të vitit, me një projeksion të thjeshtë mund të themi se akciza e duhanit kanalizon në buxhetin e shtetit rreth 170 milionë euro në vit.
Akciza transmetohet direkt te blerësit në çmimin final. Por, një duhanpëriës mesatar, kontribuon me taksa kur blen paketa cigaresh edhe nëpërmjet TVSH-së. Sipas një përllogaritje të përafërt të “Scan”, TVSH nga cigaret në vit minimalisht fiksohet në 50 milionë euro.
Duke i shtuar kësaj shumë atë të akcizës, mund të themi se janë rreth 230 milionë euro taksa që duhanirësit derdhin çdo vit në buxhetin e shtetit, ose diçka më shumë se 1.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Studime të ndryshme thonë se në Shqipëri ka përafërsisht, 1 milionë duhanpirës, të ndryshëm mes tyre, pasi disa janë duhanpirës më të rregullt se të tjerët. Bazuar në këtë vlerësim rezulton se një duhanpirës në Shqipëri kontribuon në buxhetin e shtetit me rreth 230 euro çdo vit.
Ky është kontributi afat-shkurtër, pas në afat-gjatë kostot që lidhen me parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve të cilat janë rrjedhojë e duhanpirjes, krijojnë një kosto edhe më të madhe për ekonominë e vendit, por edhe për ekonominë familjare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.