Sa i kushtoi Katalonjës kërkesa për t’u ndarë nga Spanja – Bie ritmi i zhvillimit ekonomik
Katalonja do të vazhdojë të vuajë pasojat ekonomike të përpjekjes për të fituar pavarësinë, sipas studimit të BBVA, bankës me qendër në Madrid.
Sipas saj, ekonomia e Katalonjës po çalon duke qenë tashmë prapa performancës së Spanjës në tërësi. Treguesit flasin për dobësi të shumta, duke nisur nga krijimi i vendeve të punës, regjistrimet e automjeteve të reja, shpenzimet e konsumatorëve e sidomos deri tek numri i turistëve në rënie.
Tashmë ekonomia rajonale më e madhe e Spanjës, do të rritet me vetëm 2.1% këtë vit, duke qëndruar pas parashikimit për rritje 2.5% të të gjithë Spanjës.
Zgjerimi i ekonomisë në gjysmën e parë të 2018-ës pritet të jetë poshtë mesatares së tre viteve të fundit dhe indikatorët tregojnë qartë se rënia ka nisur pas referendumit ilegal të Tetorit.
Parashikimet e BBVA vijnë para se parlamenti katallan të zgjedhë presidentin rajonal të radhës, teksa sytë janë drejtuar nga Carles Puigdemont, i cili këmbëngul të marrë detyrën edhe pas mërgimit të vetë imponuar në Belgjikë.
Qeveria në Madrid ka paralajmëruar se Puigdemont nuk mund të qeverisë nëse nuk ndodhet fizikisht në Spanjë, ndërsa studimi i BBVA thotë se lideri i ardhshëm do të jetë thelbësor.
Studimi gjithashtu tregon se nga kriza në Katalonjë impakti në pjesën tjetër të Spanjës ka qenë i limituar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.