Sa “paguhet” një pensionist në muaj? – Pensioni mesatar nga 10-17 mijë lekë në muaj!

Masa e pensionit për moshën e tretë në vend duket se nuk ecën paralel me çmimet në rritje dhe shtrenjtimin e kostove të jetesës në tërësi.
Por sa “paguhet” një pensionist aktualisht?
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar mujor i një pensionisti në zonat urbane është në vlerën e 17.258 lekëve dhe të ardhurat mesatare mujore, ku përfshihen edhe kompensimet, siç është ai çmimin e energjisë elektrike, arrijnë në 18.485 lekë.
Edhe pse niveli i pensionit mesatar ka ardhur në rritje graduale, sërish ai mbetet shumë I ulët në raport me çmimet dhe nevojat që ka kjo kategori. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për pensionet rurale. Aktualisht të ardhurat mujore mesatare për pensionistët në zonat rurale regjistrohen në vlerën e 9568 lekëve dhe të ardhurat mesatare mujore 10.196 lekë.
Ndërkohë që përfitimet mesatare mujore për pensionistët familjarë dhe ato të invaliditetit janë edhe më të ulëta. Numri i pensioneve urbane të pleqërisë për vitin 2021 ka arritur në 460,214 ndërsa numri i pensioneve rurale të pleqërisë, në 96,803. Referuar të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për vitin 2021 janë lidhur në total 31,468 pensione të reja pleqërie.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.