Sa pula ka në Shqipëri dhe sa vezë prodhohen? – Shfarosen 30% në Durrës, tregut do t’i mungojnë miliona vezë
Gripi i pulave ka nxjerrë në pah edhe pikëpyetjet nëse do të ketë pasoja në treg sa i takon furnizimit me vezë por edhe në çmimin e këtij produkti. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në Shqipëri janë afro 5 milionë pula. Të dhënat i referohen shpendëve në stabilimentet e prodhimit të vezëve. Vetëm në rajonin e Durrësit ku dhe janë të përqendruara stabilimentet e prekura nga dy sëmundje, janë të përqendruara 1 milion pula apo 20 për qind e totalit, shifra më e lartë në të gjithë vendin.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë nga sëmundja e laringo-trakeit dhe gripit të shpendëve deri më tani kanë ngordhur 300 mijë krerë, çka përbëjnë 6 % të totalit në të gjithë vendin dhe 30 % në qarkun e Durrësit i cili është edhe furnizuesi kryesor, duke qenë se sipas të dhënave vetëm ky qark ka pasur pasoja deri më tani. Por si do të ndikojë kjo në tregun e vezëve? Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Shqipëri prodhohen mesatarisht 861 milionë vezë në vit. Nga llogaritë e bëra nga TV SCAN, rezulton se një shpend në stabiliment prodhon mesatarisht 171 vezë në vit.
Dhe duke qenë se kanë ngordhur deri më tani 300 mijë shpendë, numri i vezëve të munguara në treg llogaritet në afro 51 milionë përgjatë këtij viti, apo 5.9 për qind e totalit. Shifrat tregojnë se deri më tani ndjeshmëria në e konsiderueshme, ndërkohë që nuk dihet se si do të jetë përhapja e sëmundjes. Një ditë më parë Ministria e Bujqësisë bëri me dije se janë marrë masat në karantinimin e stabilimenteve të prekura dhe situata është nën kontroll.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.