Sa shqiptarë e kanë blerë shtëpinë? – 43.5% e pronarëve, 28% e kanë ndërtuar vetë, 9% e kanë trashëguar
Shqiptarët kanë normën më të lartë se të gjitha vendet e tjera të Europës qendrore dhe juglindore sa i përket pronësisë së shtëpive. Në vendin tonë kjo normë fiksohet në 94.6%, që është pa diskutim norma më e lartë në rajon, ku mesatarja fiksohet në 82.8%. Të dhënat dalin në pah nga studimi më i fundit i Bankës Qendrore të Austrisë sa i përket integrimit ekonomik Europian në tremujorin e katërt të vitit.
Norma e pronësisë së shtëpive matet duke përllogaritur përqindjen e shtëpive të cilat janë të zëna nga pronari i saj. Studimi e detajon pronësinë e shtëpisë sipas moshës, pasurisë apo edhe llojit të pronësisë. Në vendin tonë vetëm 43.5% e pronave janë të blera. Kjo është norma e tretë më e lartë pas Rumanisë dhe Hungarisë.
Rreth 27.9% e pronarëve e kanë ndërtuar vetë shtëpinë e tyre, 18% e kanë fituar nëpërmjet procesit të privatizimit dhe rreth 9% e kanë trashëguar, tregojnë të dhënat e detajuara të Bankës Qendrore të Austrisë. Të tjera të dhëna tregojnë se norma më e lartë e pronësisë së shtëpisë është mes grupmoshës 55-64 vjeç, ku fiksohet në 98%.
Sa i përket klasifikimit sipas të ardhurave, për të gjitha grupimet norma ngjitet në mbi 90% ndërkohë që për ata me të ardhura të larta fiksohet në 97%. Të dhëna te tjera tregojnë se te apartamentet norma e pronësisë është në rreth 90%, ndërsa për banesat në rreth 98%.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.