Sa të shtrenjta janë taksat bashkiake?
Nga Dr. Sorina Koti
Debatet më të ashpra në këshillat bashkiakë zhvillohen gjatë prezantimit dhe miratimit të Paketave fiskale dhe Buxhetit. Këto dy dokumenta shprehin vullnetin politik dhe prioritetet e bashkive. Paketa fiskale tregon shumën, që Bashkitë kanë vendosur se sa duhet të paguajnë qytetarët, për shërbimet që synon të ofrojë bashkia. Kryesisht, problemi që hasin bashkitë, është mos-arritja e objektivave për të mbledhur të ardhurat vendore dhe nga ana tjetër, mos-ofrimi i shërbimeve të plota kundrejt qytetarëve.
Qytetarët dhe bizneset vazhdimisht ankohen për tarifa dhe taksa të larta, madje në disa bashki qytetarët i konsiderojnë ato si të papërballueshme. Në mënyrë të përsëritur, ajo ç’ka ndeshet në dëgjesat, që zhvillohen në këshillat bashkiake është, nga njëra anë ekzekutivët (të zgjedhurit), që justifikojnë vendosjen e taksave dhe tarifave të larta, për shkak të nevojës për më shumë të ardhura, si pasojë e kostove të larta për të ofruar shërbime, dhe nga ana tjetër qytetarët, që ankohen për mos-marrje shërbimesh edhe në rastet kur paguhen rregullisht detyrimet ndaj bashkive.
Bazuar në Ligjin nr. 9632, “Për sistemin e taksave vendore”, bashkitë kanë të drejtë të vendosin taksat e tyre +/- 30% nga taksa e miratuar në Ligj, ndërsa tarifat mund të rriten, zvogëlohen, shtohen apo hiqen me miratim të Këshillit Bashkiak, sipas nevojave të Bashkisë. Pyetja që lind në mënyrë të natyrshme është: a janë të përballueshmë taksat dhe tarifat për qytetarët shqiptarë ?
Më poshtë kemi listuar taksat dhe tarifat, të cilat aplikohen në bashkitë e vendit.
Mosarkëtimi i taksave dhe tarifave vjen si rezultat i mosngritjes dhe mosfunksionimit të një sistemi efiçent mbledhjeje të ardhurash në nivel bashkie. Disa bashki kanë filluar mbledhjen e taksave dhe tarifave nëpërmjet faturave të ujit, ndërsa pjesa më e madhe e bashkive rezulton me mungesa të konsiderueshme në arkëtim edhe për shkak të vonesave të pagimit nëpër sportele. Rendimenti i mbledhjes së detyrimeve nëpërmjet faturave të ujit ka dhenë rezultate të dukshme, (Bashkia Korçë), por në bashki të tjera, ky proçes mund të jetë i vështirë për shkak të mungesës së furnizimit më ujë të pijshëm dhe mungesës së faturës së ujit, si dhe një kontrate institucionale midis palëve.
E pra, sot kemi këtë realitet, kur bashkitë shfrytëzojnë mundësinë, që ofron të pasurit në pronësi të shërbimeve publike, si ujësjellësi, për të ngarkuar në faturën e shërbimit të furnizimit me ujë edhe taksa e tarifa të tjera. Kjo sjell një situatë, që në dukje tregon se bashkitë kanë përmirësuar vjeljen e të ardhurave, por nga ana tjetër kjo sjell dy probleme: e para, nuk sjell informacion për uljen e parregullsive dhe informalitetit, dhe e dyta, eliminon përballjen e drejtpërdrejtë të bashkisë me qytetarët mbi disponibilitetin dhe cilësinë e atyre shërbimeve të tjera, për të cilat qytetarëve u merret pagesa përmes faturës së ujit. Një problem i tretë, që mund të lindë në të ardhmen, është ai i rastit kur furnizimi me ujë është në duart e privatit dhe ky i fundit refuzon, që të mbledhë taksa dhe tarifa të tjera, nga ato shërbime që ofron për qytetarin, për shkak se një veprim i tillë i dëmton atij (privatit) marrëdhënien kontraktuale me qytetarin dhe i shkakton kosto shtesë. Në këtë rast, bashkitë do gjendeshin përpara një situate, ku i mungojnë kapacitetet dhe infrastruktura për mbledhjen e të ardhurave. Kjo do cënonte fort të ardhurat në bashki, si dhe ofrimin e shërbimeve qytetarëve. Atëherë, kushtet e pamundësisë për mbledhjen e të ardhurave do të sillnin automatikisht rritje të vazhdueshme të taksave dhe tarifave për qytetarët.
Tabelat më poshtë tregojnë të ardhurat nga taksat dhe tarifat në nivel kombëtar. Të dhënat janë progresive (të marrë nga databaza e të dhënave të www.financatvendore.al) për vitet 2015, 2016 dhe 2017.
Nga të dhënat shohim se pothuajse të gjitha taksat janë rritur nga viti në vit, përvec taksës së Biznesit të Vogël, e cila u bë zero me vendim te Këshillit te Ministrave. Taksat më të larta janë për pasuritë e paluajtshme, së cilës iu shtua edhe taksa e pronës (efektet e rritjes do ndihen në muajin Maj 2018), taksa për infrastrukturë dhe taksa për ndërtimet (kjo taksë paguhet në masë 30% të shkallës së taksës për ndërtimet, të cilat nuk kanë përfunduar ende, por për gjithë sipërfaqen e ndërtimit që është marrë leja). Nga kjo taksë janë përjashtuar Hotelet me 4 dhe 5 yje (efektet do ndjehen në buxhetet e bashkive, pasi do rëndohen më shumë bujtinat dhe hotelet me pak yje, kur në tregun turistik shiqtar dominojnë bizneset e vogla dhe të mesme).
Grafiku më poshtë jep të ardhurat nga tarifat.
Edhe të dhënat e mësipërme tregojnë se tarifat janë rritur nga viti në vit, duke detyruar familjet shqiptare të paguajnë më shumë nga buxheti i tyre familjar. Me aprovimin e buxhetit për vitin 2018, qeveria pritet të arkëtojë nga qytetarët rreth 460 milione $ taksa. Buxheti siç duket është ndërtuar në mënyre të tillë, që barra fiskale të bjerë mbi qytetarët, të cilët si pasojë do të vuajnë rënien e konsumit dhe rritjen e cmimeve.
Më poshtë janë dy grafikë me të dhëna krahasuese për 12 bashkitë më të mëdha në vend.
Grafiku tregon se nga viti 2016 në 2017, bashkitë kanë rritur nivelin e të ardhurave nga taksat dhe tarifat. Sipas paketave fiskale të miratuara nëpër këshillat bashkiake, bashkia më e shtrenjtë për qytetarët është Bashkia e Tiranës, pasuar nga ato të Durrësit, Elbasanit, Korçës, Fierit, Vlorës dhe Shkodrës.
Grafik 4. Tarifat vendore dhe të shërbimit
Grafiku më lart tregon të ardhurat nga tarifat e vendosura nga bashkitë. Pavarësisht se qytetarët (pjesa më e madhe e tyre) paguajnë tarifat bashkiake, përsëri ka mjaft njësi administrative të cilat nuk marrin shërbimet e ofruara, si nga ana sasiore ashtu edhe cilësore.
Perceptimi dhe reagimi i qytetarëve për numrin dhe nivelin e taksave dhe tarifave të aplikuara është se ato janë të larta, dhe për shumë familje janë të papërballueshme për shkak të të ardhurave të tyre të pakta. Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë (2017), 47% e të anketuarve kanë të ardhura të pamjaftueshme; 34% kanë të ardhura minimale jetese; të ardhura të mjaftueshme kanë 18%, ndërsa të ardhura më shume se sa të mjaftueshme kanë vetëm 1%. Kjo panoramë e përgjithshme, sipas nivelit të të ardhurave do u shërbente shumë politikë-bërësve përpara se të hartonin Paketat fiskale.
Një faktor i rëndësishëm, që duhet konsideruar është harmonizimi i zhvillimit të zonave urbane me ato rurale, për shkak të diferencave të mëdha që kanë në ofrimin e shërbimeve. Pas zbatimit të Reformës Territoriale Administrative, bashkitë kanë shtuar taksat dhe tarifat për qytetarët.. Shqetësuese ngelet vendimmarrja dhe mos-konsultimi real me qytetarët dhe grupet e interesit si dhe aftësia paguese e tyre. Zgjerimi i territorit të administrimit do kërkonte më shumë fonde për bashkitë e reja, por shtimi i taksave dhe tarifave nuk është mënyra më e mirë për financim. Mirë-administrimi i të ardhurave dhe shpërndarja efiçente e tyre do të ishte një rekomandim konkret në situatën e vështirë ekonomike, që ndodhen qytetarët taksapagues dhe bashkitë. Paradoksi që ndodh në Shqipëri është se, në zonat rurale banorët detyrohen të paguajnë edhe për zëra shërbimesh, të cilat nuk ofrohen realisht. Qytetarët do ishin më të predispozuar të paguanin rregullisht nëse shërbimet do ofroheshin në cilësinë dhe sasinë e pritur, dhe në përputhje me realitetin e territorit ku ato aplikohen.
Kështu që, në këtë situatë, kur për vitin 2018 qeveria ka caktuar taksa të reja, si ajo e pronës, takse e cila do i shtohet listës së gjatë të taksave dhe tarifave bashkiake, rekomandohet një reduktim i numrit të taksave dhe tarifave të aplikuara. Gjithashtu, bashkitë duhet që të ofrojnë shërbime reale dhe te prekshme për të justifikuar pagesat nga qytetarët.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.