BE, samiti i Dhjetorit – Liderët synojnë kompletimin e unionit bankar dhe zgjerimin e ESM

Liderët e Bashkimit Europian premtuan për të kompletuar unionin bankar dhe zgjeruar rolin e fondit të shpëtimit të Eurozonës. Ata caktuan këto dy objektiva si prioritet për integrimin e Eurozonës, në samitin e fundit të këtij viti të BE.
Në konferencën pas samitit në Bruksel, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se përfundimi i unionit bankar dhe transformimi i Mekanizmit Europian të Stabilitetit në një Fond Monetar Europian janë ndër prioritetet kryesore.
“Progresi hap pas hapi në çështje si unioni bankar dhe transformimi i fondit të shpëtimit, do të fuqizojë ndjeshëm Unionin Ekonomik dhe Monetar Europian. Në samitin e muajt Mars do të vazhdojnë bisedimet, ndërsa në Qershor do të jetë momenti i vendimit”, tha Donald Tusk.
Liderët e Gjermanisë dhe Francës, dy vendeve më të mëdha anëtare, presin gjithashtu arritjen e një dakordësie mbi reformat e Eurozonës në muajin Mars. Reformat synojnë të fuqizojnë Bashkimin Europian përballë krizave të ardhshme, ndërkohë që kriza e borxhit rrezikoi shpërbërjen e unionit. Një tjetër objektiv është reduktimi i pabarazive mes vendeve anëtare të Eurozonës.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.