Samiti i BE në Salzburg – Merkel dhe Makron, pesimistë për Brexit. Pritet takimi i Nëntorit
Gjermania dhe Franca, dy ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian, dështuan të gjejnë zgjidhje ndaj ngërçit që ka paralizuar negociatat për Brexit. Kryeministrja Theresa May dha një fjalim 10 minutësh përballë liderëve europian, ku i kërkoi atyre lehtësime për të arritur marrëveshjen për Brexit. Ndërkohë që liderët arritën në Salzburg ditën e Enjte për takimin informal të Bashkimit Europian, ata nuk shprehën vullnet për të bërë progres në negociata.
“Në të gjithë skenarët, ne duhet të mbrojmë interesat e Bashkimit Europian”, tha presidenti francez Emmanuel Macron, duke shtuar se brexit nuk duhet të rrezikojë integritetin e tregut të përbashkët dhe duke i bërë gjithashtu thirrje Britanisë që të ndreqë çështjen e kufirit me irlandën. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk dëgjoi asgjë të re nga fjalimi i Theresa May, sipa burimeve prezentë në takim.
Të dy palë janë dakord se duhet arritur një marrëveshje në samitin e Nëntorit. Megjithatë, asnjë nuk ka arritur të gjejë një propozim që mund të thyejë ngërçin në negociata, ku më i vështiri është kufiri i Irlandës. Gjatë samitit, liderët europian vunë në dukje nevojën për të ndihmuar Theresa May, që të kalojë përplasjet politike në Londër, për shkak se nuk duan që mbështetësit e Brexit të pengojnë negociatat.
Klevis LLaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.