Samiti i “fundit” për Brexit – Barnier: Marrëveshja po bëhet e vështirë, por është e mundur!
Negociatori europian për Brexit, Michel Barnier, tha se arritja e një marrëveshjeje për divorcin është bërë shumë e vështirë, por shtoi se është ende e mundur.
Barnier foli përpara mbledhjes së ministrave të Bashkimit Europian në Luksemburg, që do të jetë edhe takimi i fundit parapërgatitor, deri sa të ndodhë samiti i së Premtes i liderëve të shteteve në Bruksel. “Ekipi ynë po punon fort për shkak se marrëveshja e divorcit, pavarësisht se po bëhet gjithnjë e më e vështirë, është ende e mundur.
Sigurisht që marrëveshja duhet të funksionojë si për Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe për Bashkimin Europian”. është shprehur Michel Barnier Paundi u rrit ndjeshëm kundër dollarit pas komenteve të Barnier, që u interpretuan si optimiste nga tregtarët.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së tregut të përbashkët në marrëveshjen e Brexit.
Ai tha se propozimet aktuale nuk kënaqin kriteret e bllokut për doganat. Nëse nuk arrihet një rezolutë në samitin e kësaj jave, Bashkimi Europian do përgatisë një mbledhje të jashtëzakonshme në fund të Tetorit, për të miratuar çfarëdo lloj marrëveshjeje apo shtyrjen e afatit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.