Samiti i G20 – Dakordësi për tregtinë, ndarje me SHBA për klimën

Deklarata përfundimtare e liderëve të grupit të 20 ekonomive më të industrializuara të botës, vuri në dukje një ndarje mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera anëtare mbi marrëveshjen e Parisit për klimën.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se është e kënaqur që të gjithë vendet anëtare përveç SHBA, janë dakord se marrëveshja e Parisit është e pakthyeshme.
Ajo tha se nuk ka të njëjtin këndvështrim me Kryeministren e Britanisë, Theresa May, e cila tha se Washingtoni mund të vendosë që të rikthehet në marrëveshjen e klimës.
Për tregtinë, një tjetër pikë kyçe, liderët ranë dakord se do të luftojnë proteksionizmin, përfshirë të gjithë praktikat e padrejta tregtare.
“Tregjet duhet të qëndrojnë të hapura dhe proteksionizmi duhet luftuar. Gëzohem që jemi dakord për këtë. Të gjithë vendet anëtare jemi gati që veprimet tona të monitorohen nga Organizatat kryesore. Ne jemi gjithashtu dakord se avantazhet e tregtisë ndërkombëtare nuk kanë prekur akoma të gjithë”, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.
Në lidhje me protestat që u zhvilluan gjatë samitit, Merkel tha se e dënon ashpër dhunën e përdorur kundër oficerëve të policisë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.