Samiti i Jackson Hole – Draghi dhe Yellen do të diskutojnë përfundimin e stimujve monetarë

Ekonomistët më të mëdhenj në botë dhe bankierët qendrorë do të organizojnë takimin vjetor në Jackson Hole më vonë gjatë javës, me rritjen e ngadaltë të inflacionit që do të jetë tema kryesore.
Kryetarja e sistemit bankar qendror në SHBA, Janet Yellen dhe Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, do të jenë ndër zyrtarët që do të mbajnë fjalime në takimin vjetor, që vjen në një kohë kur institucionet po synojnë daljen nga politikat lehtësuese monetare, pavarësisht zbehjes së perspektivës prej inflacionit të dobët.
Çmimet janë rritur në mënyrë të ngadaltë pavarësisht rritjes së fortë ekonomike dhe rënies së papunësisë, gjë që tregon se marrëdhënia e vrojtuar prej kohësh e inflacionit me papunësinë mund të jetë dobësuar. Janet Yellen do të flasë mbi stabilitetin financiar dhe takimi do të vazhdojë me fjalën e Draghit, i cili do të përgjigjet ndaj spekulimeve mbi përfundimin e programit të blerjes së titujve të borxhit.
Ekonomitë e zhvilluara përballen me sfida të ngjashme si, rreziqet nga vlerësimi i aktiveve dhe efektet e pabarabarta të globalizimit, që sollën ndodhi si Brexit dhe zgjedhjen e Donald Trump. Zyrtarët e bankave kanë dështuar të arrijnë objektivin e çmimeve. Në SHBA, inflacioni ra në 1.4% në Qershor, ndërsa çmimet e konsumit në Eurozonë qëndrojnë aktualisht në 1.3%.
Ndërkohë, papunësia ka rënë në mënyrë të qëndrueshme, duke arritur 4.3% në SHBA, dhe 9.1% në Eurozonë. Progresi i dobët i inflacionit sinjalizon se kurba e Phillipsit, që tregon marrëdhënien mes nivelit të çmimeve dhe papunësisë, mund të mos jetë më efektive.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.