Samiti i Triestes: A vjen Federalizmi Ballkanik pas Tregtisë së Lirë?

Nga Enio Civici
12 Korriku 2017 është “dita” e katërt në të cilën ravijëzohet perspektiva e afrimit dhe bashkëpunimit intensiv ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Në një epokë plot sfida globale, të cilat kërkojnë pjesëmarrjen e të gjithëve, ribashkimi i kontinentit është një investim strategjik në paqe, në siguri dhe në demokraci” – Këto kanë qenë fjalët e Ministrit të Jashtë të Italisë, Angelino Alfano, në rolin e pritësit në hapjen e samitit.
Kryeministri Rama i ka nisur 48 orët e samitit me një shkrim në prestigjozen “Wall Street Journal” ku është zotuar të evokojë dhe mbështesë një “Zonë Ekonomike Rajonale” si hapin e radhës drejt Tregtisë së Lirë në vendet e Ballkanit.
Ky hap dhe të tjerë pas tij janë angazhimi institucional dhe kapital i këtyre vendeve në rrugën drejt integrimit europian. Në këtë kontekst dhe në këtë ditë po guxoj të hedh një tezë tjetër, ndoshta hapin e radhës, në maratonën pozitive të eliminimit të ndasive historike dhe antropologjike ndërmjet shteteve tanë.
Përtej sfidave ekonomikisht politike, qytetarët shqiptar në 2017, pas më shumë se çerek shekulli, duhet të fillojnë ta konceptojnë shtetin e tyre si të pandarë nga realiteti rajonal në të cilin jetojnë. Sigurisht që ka raste si Zvicra apo Luksemburgu, por një ekonomi me 3 milionë banorë është totalisht e pa rëndësishme në tregtinë ndërkombëtare.
Pavarësisht se i titulluari “Proces i Berlinit” po kthehet në varësi të humorit të zgjedhjeve në Gjermani, projekti i bashkimit ekonomik dhe pse jo fiskal në Ballkanin Perëndimor nuk duhet absolutisht të largohet nga agjenda. Është rruga e vetme.
Në vitin 2010 në samitin G8, David Cameron shprehej se “Konkurueshmëria kërkon lirshmëri, mundësi zgjedhje dhe mëndje të hapur. Përndryshe rrezikojmë të përfundojmë në një tokë të askujt ndërmjet ekonomive madhështore të Lindjes dhe tregut të pamposhtur të Amerikave”.
Globalizimi ka zgjeruar lojën duke përfshirë superfuqitë në të njëjtën fushë. Përballja me këtë uragan kapitali kërkon një sinkronizim të forcave të punës, bashkërendim të investimeve madhështore, harmonizim të nivelit të taksave dhe në një fazë të dytë shkrirje të politikave fiskale. E pamundur? Ndoshta shumë e vështirë por e vetmja rrugë për të konsideruar faktor secilin vend të këtij rajoni është sjellja si një trup i vetëm ekonomik. Dhe kjo nuk ka pse të përkojë me trupin e vetëm politik.
Respekti i historisë ka shërbyer si forcë për të ndërtuar aleanca të reja në të gjithë kronologjinë e shteteve. Vetë Bashkimi Europian shërben për këtë kujtim. Mënyra e vetme për të shkuar deri në perfeksionin ekonomik të federalizmit është krijimi i një “kupole” me shumë platformë e cila fuqizon kohezion në arkitekturat qeverisëse.
Sot mungon regjistrimi në buxhetet shtetërore të projekteve të përbashkëta si autostrada Nish-Durrës apo çuditërisht vazhdon ende të artikulohet projekti hipotetik i krijimit të rrjetit të plotë hekurudhor në Shqipëri. Vendet tona të vetme e kanë të pamundur të implementojnë investime me rëndësi rajonale ndërkohë që shkruajnë dhe flasin për projekte kombëtare.
Koncepti i bashkëpunimit rajonal, në 2017, duhet të jetë i kapërcyer. Sot duhet të flasim për bashkim rajonal. Ballkani Federal është zgjidhja përfundimtare për të paktën 50 vitet e ardhshme, sigurisht nën ombrellën e Integrimit në Bashkimin Europian.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.