Samiti i Triestes, sfidat ekonomike – Bushati: Vendet e rajonit të bashkëpunojnë për anëtarsimin në BE

Samiti i Triestes, do të konkretizojë dy nisma. Fillimisht Traktatin e Transportit dhe krijimin e zonës reale ekonomike për të stimuluar më tej bashkëpunimin në fushën tregtare, në fushën ekonomike ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, ky bashkëpunim është i nevojshëm për të përballuar së bashku sfidat ekonomike që vijnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Është një përpjekje për të stimuluar bashkëpunimin në fushën tregtare dhe ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të përballuar sëbashku sfidat që vijnë nga procesi i anëtarësimit në BE. Të dy këto nisma duhen konsideruar si nisma ndihmuese të rrugës sonë drejt anëtarësimit në BE.
Nuk ka diskutim që në të shkuarën ka pasur diferenca të mëdha se si vende të ndryshme kanë qenë të përfaqësuara. Do ketë disa seli dhe disa nisma dhe është krejt normale që të ketë një shpërndarje gjeografike sa më të balancuar ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në planin politik, Ballkani është në kushte më të mira seç ishte para 3 apo 4 viteve, aq më tepër që 3 apo 4 vite më parë ka pasur një lloj pesimizmi ndaj procesit të zgjerimit”.
Komisioni Europian është pjesë e këtij procesi, qoftë metodologjikisht, qoftë financiarisht, qoftë me kombinimin e projekteve të ndryshme, apo të fondeve të ndryshme që janë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por vlen të theksohet dhe të ribëhet apeli që kjo mbështetje financiare është e pamjaftueshme për të zvogëluar diferencat e mëdha që ekzistojnë me asaj që njihet ndryshe si mesatarja e vendeve të BE-së dhe mesatarja vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.