Samiti më sfidues ndër vite – G7 në Taormina, Tusk flet “shkoqur”

“Nuk ka asnjë dyshim se, ky do të jetë samiti më sfidues i G7-ës ndër vite”, deklaroi Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në konferencën hapëse të samitit në krah të Presidentit të Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.
“Nuk është një sekret se, liderët që do të takohen sot, në disa raste kanë qëndrime krejt të kundërta mbi çështje të caktuara, si tregtia apo ndryshimi klimatik. Por roli ynë, si Bashkim Europian, është që të bëjmë çdo gjë për të ruajtur unitetin e G7-ës në të gjitha frontet”, nënvizoi Donald Tusk.
Ndër të tjera, Tusk sinjalizoi edhe disa nga çështjet që do të diskutohen në këtë samit mes liderëve, duke kërkuar që të rikonfirmohen sanksionet ndaj Rusisë.
Liderët e 7 vendeve më të industrializuara të globit takohen në Taormina, Sicili, më 26 dhe 27 maj, dhe samiti vjen në një kohë të vështirë, dhe pa diskutim që Donald Trump është qendra e vëmendjes jo vetëm të opinionit publik por edhe vetë liderëve.
“Jam i impresionuar nga vendosmëria dhe ashpëria e Presidentit Trump kur bëhet fjalë për terrorizmin, dhe unë jam dakord plotësisht me të, kur deklaroi se Europa dhe SHBA duhet të jenë të bashkuar kundër këtij fronti të së keqes, siç është ISIS”.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.