Samsung Galaxy S8 dhe S8+ – Analiza e plotë e smartphone-ëve

Samsung Galaxy S8 është padyshim një nga telefonat më të bukur, më elegantë dhe më të kompletuar ndonjëherë, për të mos thënë më i miri.
Nëse kompania koreane premtoi rikonceptimin e aparatëve celularë, mund të themi se i ka shkuar shumë pranë.
DIZAJNI DHE EKRANI
Ekrani i mrekullueshëm 5,8 inch që zgjatet shumë pranë skajeve të telefonit dhe i lakuar në anë flet vetëm për elegancë. Nëse ju duket i bukur në ekran, atëherë do të dëshironit ta bënit menjëherë tuajin kur ta preknit.
S8 ka një shkëlqim natyral dhe arsyeja pse duket shumë ndryshe nga telefonat e tjerë është raporti i përmasave të ekranit. Ajo që ka bërë Samsung është se ka shtyrë ekranin në limite duke hequr butonin fizik, një hap që ndoshta duhet ta kishte ndjekur vite më parë. Edhe për ata që do t’i marrë malli për butonin Home, Samsung e ka bërë zonën pranë tij të ndjeshme ndaj trysnisë. Pra, mund të ndizni ekranin duke shtypur pak më fort në mes.
Ndryshe nga raporti tradicional 16:9 i ngjashëm me televizorët, ky ekran vjen në raportin 18.5:9, pra më i gjatë dhe më tepër hapësirë për të shijuar fotot në rrjete sociale. Sa i përket lojërave dhe videove, aplikacionet duhet të përshtaten me raportin e ri, ndryshe mbeten disa anë të zeza bosh. Gjithsesi, nga kjo përfitojnë filmat, të cilët në këtë telefon ngjajnë fantastikë.
Po ta krahasojmë me iPhone 7, ekrani i këtij të fundit do të ndihet shumë inferior, ndonëse përmasat fizike të aparatëve janë pothuajse të njëjta. Nëse nuk e keni dëgjuar S8+ është plot 6,2 inch.
Ekranet e lakuar vijnë këtë vit tek të dy krahët e aparatit dhe tek të dy versionet e tij. Pra lajm i mirë në aspektin estetik, por edhe në atë praktik pasi është më e thjeshtë të kontrollosh me një dorë një ekran më të hollë. Samsung ka gjetur zgjidhje edhe për prekjet e paqëllimta të anëve të S8, duke shtuar edhe më shumë opsione se për çfarë mund t’i përdorni.
Ekranet shkrihen me kapakun metalik, dhe panelet Quad HD Super AMOLED i bëjnë ngjyrat në celular shumë të mprehta dhe vibrante. Madje edhe jashtë në dritën e diellit, ekrani ka plot shkëlqim dhe është i lehtë për t’u dalluar. Ky mund të jetë ekrani më i mirë që ka ndonjë celular.
Por, natyrisht që s’mund të jetë gjithçka perfektë. Shumica e përdoruesve ankohen për vendndodhjen e skanerit të gishtit. Ai është i pozicionuar lart pranë kamerës, çka e komplikon pak procesin e zhbllokimit të telefonit. Kjo zgjidhje estetike është problem edhe për kamerën pasi është e sigurt që do të bëhet pis nga prekja me gishta.
Pjesa e pasme e ekranit ndërkohë është shumë e bukur dhe xhami i zi, ndonëse mund të bëhet me shenja gishtash lejon karikimin wireless të pajisjes.
S8 është rezistent ndaj ujit dhe mundtë durojë zhytje deri në 1,5 metra thellësi për gati 30 minuta. Të dy modelët e celularit kanë porta USB tipi C që lejon për karikim të shpejtë dhe transferim të shpejtë të dhënash. Së bashku me celularët vjen edhe një palë kufje AKG.
Si përfundim, pamja e S8 është shkëlqyese, literalisht dhe figurativisht. Është një monument prej xhami dhe metali për arritjet e Samsung.
SOFTWARE
Software-i është njohur si pika më pak e fortë e Samsung. Në pamje të parë duket i thjeshtë dhe me funksionet normale të Android 7.
Risia më e madhe është Bixby, asistenti i ri zanor. Bixby futet në luftë me asistentët e tjerë si Siri dhe Alexa, edhe me ndihmën vizuale. Por Bixby është ende foshnje krahasuar me rivalët dhe nuk mund të bëjë ndonjë gjë të madhe për momentin. Ai ka një buton të dedikuar, i cili nis programin nëse e shtyp dy herë. Ndoshta do të ishte më mirë nëse do të kishim një buton për kamerën.
Samsung thotë se Bixby përshtatet me përdoruesin dhe pasi mëson zakonet bëhet edhe më i dobishëm. Ato çfarë Bixby bën është të njohë nga fotot produktet që ti po shikon dhe të drejton tek faqe ku mund të blesh. Nëse drejton kamerën nga monumente dhe pika referimi, mund të të japë informacione për to. Bixby gjithashtu përkthen, bazuar tek Google Translate.
Samsung duplikon shpesh aplikacione të Google, të cilat përfundojnë duke zënë vend kot në celular: si Samsung Apps.
PERFORMANCA
Nuk bën habi që S8 ka specifika të frikshme dhe shumë të fuqishme. Procesori Exynos 835 është aktualisht më i fuqishmi në treg dhe ky aparat është i pari që e merr. Megjithatë të fuqishëm po ashtu janë dhe celularët e tjerë kryesorë si Google Pixel, LG G6 dhe iPhone 7 dhe nuk ndihet ndonjë diferencë në shpejtësi.
Procesori shoqërohet me 4GB RAM dhe 64GB memorie të brendshme, hapësirë për kartë microSD dhe LTE e WI-FI të shpejtësisë së lartë gigabit. Në fakt S8 është telefoni i parë me LTE gigabit, por operatorët celularë ende nuk e ofrojnë këtë teknologji.
S8 vjen me Bluetooth 5.0, pra mund të luajë muzikë në dy pajisje njëkohësisht.
KAMERA
Kamera këtë vit nuk ka ndryshuar, është po i njëjti sensor 12 MP me hapje f/1.7. Samsung ka modifikuar vetëm procesimin e fotove, që nënkupton foto më të mira në dritë të dobët. Kamera hapet shumë shpejt dhe bën fokus edhe më shpejt. Ajo është e aftë të kontrollojë ndriçimin më mirë dhe rezultati janë foto ku fytyra është e ndriçuar dhe sfondi është po aq mirë në dritë.
Aplikacioni i kamerës është i lehtë për t’u përdorur, por me plot veçori të fuqishme për ata të cilët duan ta shfrytëzojnë më së miri. Ashtu si Snapchat, kamera vjen me disa filtra shumë argëtues.
Kamera para vjen kësaj radhe me 8MP dhe me aftësinë për të bërë autofokus, një diçka që u mungon kamerave të tjera.
BATERIA
Nëse Samsung ka sjellë plot përbërës të fuqishëm tek S8, s’mund të themi të njëjtën gjë për baterinë. S8 ka bateri 3 mijë mAH, ndërsa S8+ e rrit në 3500 mAH. Më pak se S7 Edge, por kompania thotë se përmirësimet në teknologji lejojnë që aparatët të harxhojnë më pak energji dhe se bateria do të ruajë edhe pas dy vjetësh 95% të kapacitetit si në ditën e parë.
Nëse jeni një përdorues i lehtë, bateria e S8 do t’ju zgjasë tërë ditën, ama nëse jeni më i rëndë ndoshta preferoni S8+. Të dy telefonat vijnë me karikim super të shpejtë, prandaj kapaciteti i baterisë nuk duhet të përbëjë problem. Një incident si ai me Note 7 nuk ka gjasa të përsëritet, pasi kompania e ka analizuar problemin e mbinxehjes dhe ka marrë masat e duhura.
Si përfundim mund të themi se S8 është një pajisje kryevepër e teknologjisë, jo perfekte, por padyshim e bën çmimin t’ia vlejë. Është shumë e bukur dhe nëse mbahet mirë është e garantuar që do t’ju zgjasë me vite. Fuqia dhe performanca e S8 do të shndërrohet në një përvojë shumë të kënaqshme për çdo kategori përdoruesish. Ka një çmim të lartë, por është sigurisht një aparat luksi, që do t’ju shoqërojë në të ardhmen që Samsung dhe teknologjia premtojnë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.